“Nuk mjafton kërkimfalja, s’është i pari prej VV-së që ka çështje të tilla kundër UÇK-së” – Përfaqësues të AAK-së dhe PDK-së kërkojnë hetim te thellë për Bashën
Punimi shkencor me deklarime skandaloze në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku ndër autorët kyç ishte tani kryeparlamentari Dimal Basha bën që reagime të shumta të ketë gjatë ditëve të fundit. Se UÇK-ja furnizohej nga kriminelët e grupet e drogës e deklarime të ngjashme përfshiheshin në punimin shkencor të vitit 2012. E gjithë kjo…

Lajme
Punimi shkencor me deklarime skandaloze në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku ndër autorët kyç ishte tani kryeparlamentari Dimal Basha bën që reagime të shumta të ketë gjatë ditëve të fundit.
Se UÇK-ja furnizohej nga kriminelët e grupet e drogës e deklarime të ngjashme përfshiheshin në punimin shkencor të vitit 2012.
E gjithë kjo ka nxitur reagime të ashpra nga përfaqësues të AAK-së dhe PDK-së, të cilët kërkojnë që ndaj tij të ndërmerren masa ligjore dhe të përfshihet prokuroria në hetim.
Time Kadrija nga AAK dhe Xhavit Haliti nga PDK kanë komentuar për lajmi.net kërkimfaljen e kryeparlamentarit Dimal Basha në lidhje me shkrimin e vitit 2012 kundër UÇK-së.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka reaguar ashpër, duke thënë se kjo nuk është hera e parë që nga radhët e VV-së dalin figura me qëndrime të diskutueshme ndaj UÇK-së.
“Nuk ashte i pari prej LVV që ka çështje të tilla kundër UÇK-së. Nuk mjafton as një kërkimfalje. Për gjëra të tilla ish dashte të merret prokuroria”, ka deklaruar Kadrijaj.
Edhe ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka kërkuar hetim të thelluar ndaj Bashës, duke e konsideruar të pamjaftueshme çdo lloj pendese publike. Ai tutje tha se Basha duhet të hetohet thellë dhe gjithanshëm.
“Basha, e ka kry veprën, për krim nuk kërkohet falje. Ajo që ju takon organeve të hetuesisë, është hulumtimi dhe marrja e dëshmive. Bashkëautorja e artikullit është një studjuese e paguar që nga viti 1997. Ajo ka qenë e angazhuar për të marrë sa më shumë informata për UÇK. Basha duhet të hetohet thellësisht dhe gjithanshëm”, ka deklaruar Haliti për Lajmi.net.
Kujtojmë se dje kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha tha se nuk ka qenë në dijeni që pjesa e kapitullit që ai ka shkruar do të publikohej si pjesë e një bashkautorësie dhe e quajti këtë si një moment të pavëmendjes gjatë kohës kur ishte student.
Basha kërkoi edhe falje për siç u shpreh ai “pakujdesinë e tij”.
“Prej meje, sa për sqarim, më është kërkuar një kapitull për fushën që ti ki hulumtime dhe unë e kam dorëzuar kapitullin me bindjen që do të publikohet kapitull i veçantë… Në asnjë moment nuk kisha pranuar të jem bashkautor ku flitet ashtu për UÇK-në. Është dashtë të jem më i kujdesshëm. Pajtohem se kam qenë i pavëmendshëm,” tha ai.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, është kritikuar si bashkautor i një teksti në të cilin shkruhej ndër të tjera se UÇK-ja u financua nga trafikantët e drogës. Ndonëse nuk është fare i ndarë në kapituj, Basha deklaroi se pjesën ku pretendohet një gjë e tillë e ka shkruar bashkautorja Jana Arsovska./Lajmi.net/