Artikulli i Bashës kundër UÇK-së, Krasniqi: Gjatë janë fshehur prapa Glaukave, por janë Dimala – Turpi i mbetet VV-së dhe Kurtit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi dje në media është publikuar një pamflet i vitit 2012, ku bashkëautor ishte edhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e që për UÇK-në shkruhej se financohej nga para të drogës. Krasniqi ka thënë se Albin Kurti e ka pasur mënyrë jetese demonizimin e UÇK-së dhe të udhëheqësve…

Lajme

28/08/2025 10:06

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi dje në media është publikuar një pamflet i vitit 2012, ku bashkëautor ishte edhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e që për UÇK-në shkruhej se financohej nga para të drogës.

Krasniqi ka thënë se Albin Kurti e ka pasur mënyrë jetese demonizimin e UÇK-së dhe të udhëheqësve të saj, e që sipas Krasniqit gati secili që i është bashkuar atij, ka pasur ose ka përvetësuar të njëjtin mentalit.

“Shembulli i propozimeve nga Lëvizja Vetëvendosje për Kryetar të Kuvendit e tregon më së miri: Albulena Haxhiu, Donika Schwartz, Hekuran Murati – të tre me qëndrime dhe veprime kundër UÇK-së dhe trashëgimisë së saj. Njëra duke ua zvogëluar fondet e mbrojtjes në Gjykatën e Hagës, tjetra duke pranuar se ka dorëzuar dosje kundër krerëve të UÇK-së, e tjetri duke përjashtuar nga paga minimale kategoritë e luftës çlirimtare dhe duke i fyer luftëtarët e lirisë në krahasimet që ua bënte me mercenarë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka thënë se Basha me artikullin e tij “morbid” kundër UK-së, e konfirmon filozofinë e Vetëvendosjes: “sa më shumë të distancohesh nga UÇK-ja, aq më shpejt ngjitesh në parti”, e që Krasniqi thotë se mund të jetë formula e tyre e brendshme.

“Vota jonë nuk ka qenë për individin – por për të mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, me qëllim të dhënies fund bllokadës institucionale. Por, edhe për ta zhveshur Vetëvendosjen dhe për ta vënë para reflektorit publik të së vërtetës. Sepse, gjatë janë fshehur e amnistuar prapa Glaukave, por në fakt këta janë Dimala. Nëse ndokush ka pasur dyshime, qoftë edhe brenda elektoratit të tyre, sot besoj e kanë të qartë këtë”, ka shtuar Krasniqi.

Ai ka thënë se turpi i mbetet VV-së dhe Albin Kurtit, të cilët Krasniqi thotë se e kanë kandiduar me insistim Dimal Bashën.

“Por, një gjë po vërtetohet edhe tash, siç e kishim thënë në dy herët e kandidimit të tij – ai nuk është i denjë që të jetë Kryetar i Kuvendit. Ndërsa, sa për PDK-në, partinë që e pasoi UÇK-në, pavarësisht gjithçkaje e çdo zhurme, do ta mbrojmë me çdo kusht, si çdo herë tjetër, luftën e UÇK-së dhe shtetin e Kosovës”, ka shtuar ndër të tjera Memli Krasniqi, i pari i Partisë Demokratike të Kosovës. /Lajmi.net/ 

Postimi i tij i plotë në Facebook: