Vrasja e 19 vjeçarit në Vushtrri – Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Bleron Dibranit për vrasje të rëndë

Një vrasje e rëndë pati ndodhur në mars të këtij viti, ku një 19 vjeçar, Bleron Dibrani pati vrarë me armë zjarri bashkëmoshatarin e tij me inicialet A.Z.  Rasti pati ndodhur në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, shkruan lajmi.net.  Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj Bleron Dibranit për veprat penale “vrasje e rëndë”…

Lajme

28/08/2025 09:51

Një vrasje e rëndë pati ndodhur në mars të këtij viti, ku një 19 vjeçar, Bleron Dibrani pati vrarë me armë zjarri bashkëmoshatarin e tij me inicialet A.Z. 

Rasti pati ndodhur në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, shkruan lajmi.net. 

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj Bleron Dibranit për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.  

 “I pandehuri akuzohet se me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, me dashje e ka privuar nga jeta viktimën A.Z., duke e gjuajtur dhe goditur viktimën tri (3) herë në trup. Viktima A.Z., si pasojë e plagëve të shumëfishta të shkaktuara nga predhat e hedhura nga arma e zjarrit pëson dëmtime të rënda në mushkëri dhe mëlçi duke i sjellë gjakderdhje masive dhe pamjaftueshmëri të menjëhershme respiratorë, i njëjti ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë, po ashtu nga të shtënat nga arma e zjarrit e të pandehurit në rrugë publike vihet në rrezik edhe jeta e personave tjerë”, ka njoftuar Prokuroria përmes një komunikate për media. 

Sipas Prokurorisë, gjatë arrestimit, Bleron Dibranit i është gjetur dhe sekuestruar arma me të cilën është kryer vepra penale, dhe e cila ka qenë në posedim në kundërshtim me Ligjin Nr.05/L -022 për Armë.

 “Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin t`a shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe t`a dënojë sipas ligjit”, ka njoftuar Prokuroria. /Lajmi.net/