OEK kërkon pezullimin e vendimit për tregun e lirë të energjisë
Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës në kuadër të saj, shprehin shqetësimin e thellë lidhur me faturat e energjisë elektrike të muajve të fundit, të cilat po shndërrohen në një barrë të papërballueshme për sektorin prodhues. Përmes një njoftimi për medie Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me…

Lajme
Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës në kuadër të saj, shprehin shqetësimin e thellë lidhur me faturat e energjisë elektrike të muajve të fundit, të cilat po shndërrohen në një barrë të papërballueshme për sektorin prodhues.
Përmes një njoftimi për medie Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e saj Prodhuese, ka ngritur zërin publikisht dhe institucionalisht se dalja e detyrueshme e prodhuesve në tregun e lirë do të rezultojë me çmime të papërballueshme për bizneset.
“Sot, fatkeqësisht, po vërtetohet pikërisht ajo për të cilën kemi paralajmëruar. Sipas të dhënave zyrtare: Bizneset prodhuese të obliguara të furnizohen në tregun e lirë kanë paguar 162 €/MWh në qershor 2025 dhe 203 €/MWh në korrik 2025. Në të njëjtën periudhë, konsumatorët në furnizim të rregulluar kanë paguar vetëm 65–75 €/MWh. Ky dallim i pajustifikuar, mbi 3 herë më i lartë për prodhuesit, ka sjellë pasoja të rënda për konkurueshmërinë e fabrikave tona dhe i ka vendosur prodhuesit kosovarë në pozitë të pabarabartë në raport me sektorët e tjerë të brendshëm dhe konkurrentët rajonalë”, thuhet në njoftim.
Tutje, OEK thekson se në kulmin e verës, kur normalisht pritet ulje e çmimeve, faturat e prodhuesve janë rritur në nivele rekord.
“Kjo ngre alarmin se në periudhën e dimrit, kur konsumi dyfishohet, çmimet mund të kalojnë edhe 300 €/MWh, duke shkaktuar pasoja të pariparueshme si: mbyllje të fabrikave, humbje të mijëra vendeve të punës, rrëzim të prodhimit vendor dhe rritje të varësisë nga importet”, theksohet në njoftim.
Lidhur me këto arsye, Oda Ekonomike e Kosovës me Shoqatën e saj të Prodhuesve të Kosovës kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të daljes së detyrueshme në tregun e lirë.
“Ky është hapi i vetëm i drejtë dhe i domosdoshëm për të mbrojtur prodhimin vendor dhe për të shmangur një krizë ekonomike të shkaktuar nga faturat e energjisë. Energjia elektrike nuk është thjesht një produkt tregu, është faktori themelor për mbijetesën e industrisë vendore. Pa ndërhyrje të shpejtë, rrezikohet seriozisht baza prodhuese dhe e ardhmja ekonomike e vendit”, thuhet në fund të njoftimit.