​Kurti: Kosova zgjodhi të mos jetë vëzhguese, sanksionoi Rusinë për luftën në Ukrainë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Gjermanisë, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Zyra e BE-së në Kosovë dhe AGK, në nderim të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës. Me këtë rast, në fjalën e tij, ai tha se duke festuar këtu sot, “ne bashkohemi…

Lajme

25/08/2025 20:42

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Gjermanisë, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Zyra e BE-së në Kosovë dhe AGK, në nderim të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

Me këtë rast, në fjalën e tij, ai tha se duke festuar këtu sot, “ne bashkohemi jo vetëm me ata në Ukrainë, por edhe me njerëz në mbarë botën, në shënimin e 34-vjetorit të pavarësisë së një vendi që është bërë njëkohësisht më i famshmi në Evropë sot dhe një masë me të cilën gjykohet siguria e kontinentit tone”.

“Kosova e ka mbështetur prej kohësh luftën e Ukrainës për të mbrojtur integritetin e saj territorial dhe sovranitetin shtetëror, në mënyrë që ajo të ndërtojë një të ardhme të fortë në vend që të mbetet vazhdimisht e ekspozuar ndaj agresionit. Aktiviteti diplomatik i ditëve të fundit ka nënvizuar se sa qendrore mbetet kjo çështje”, citohet Kurti në komunikatë, duke shtuar se që nga fillimi i luftës, Kosova ka zgjedhur të mos jetë një vëzhgues, por iu bashkua Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar në vendosjen e sanksioneve dhe hapi dyert tona për gazetarët dhe të tjerët që kërkonin strehim dhe një vend të sigurt nga i cili të vazhdonin punën e tyre, dhe ndihmoi ushtrinë ukrainase përmes pakove ushtarake dhe trajnimeve në kuadër të operacionit “Inteflex”.

Para të pranishmëve të shumtë, në fjalën hyrëse, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Kryeministri Kurti, ka uruar gjithë ukrainasit, duke konfirmuar se Kosova qëndron në solidaritet me Ukrainën në këtë rast solemn, e përkushtuar për të mbështetur pavarësinë dhe sovranitetin e saj në të gjithë territorin e saj dhe synimin për një të ardhme të sigurt, demokratike dhe paqësore.