Policia ndalon autobusin në Jarinjë me të cilin po barteshin migrantë nga Palestina, Bangladeshi e shtetas egjiptian

Policia e Kosovës, përmes Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), Departamenti i Kufirit dje ka ndërmarrë një veprim të suksesshëm operativ në pikën e kontrollit afër pikëkalimit kufitar Kosovë–Serbi (Jarinjë), ku është ndaluar një autobus me targa (NP), i linjës Mitrovicë–Beograd. Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, është konstatuar se në katin e parë të…

Lajme

25/08/2025 09:01

Policia e Kosovës, përmes Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), Departamenti i Kufirit dje ka ndërmarrë një veprim të suksesshëm operativ në pikën e kontrollit afër pikëkalimit kufitar Kosovë–Serbi (Jarinjë), ku është ndaluar një autobus me targa (NP), i linjës Mitrovicë–Beograd.

Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, është konstatuar se në katin e parë të autobusit ndodheshin 8 udhëtarë të rregullt të regjistruar në listën zyrtare, ndërsa në katin e dytë u gjetën 18 shtetas të huaj, të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Republikës së Kosovës.

“Hetimet e para dhe intervistat me personat përgjegjës tregojnë një përpjekje të qëllimshme për kontrabandim të migrantëve. Pronari i kompanisë, G. A., dhe shoferi B. D., kanë tentuar të shmangin përgjegjësinë, por provat dhe verifikimet tregojnë përfshirje direkte në organizimin e transportit të migrantëve në mënyrë të paligjshme”,thuhet në njoftimin e policsië.

Nga verifikimi i dokumenteve rezulton se:

  • 5 shtetas palestinez kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze përmes Aeroportit të Prishtinës më 23.08.2025.
  • 6 shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova.
  • 7 shtetas egjiptian kishin hyrë në Kosovë përmes Shqipërisë dhe synonin kalimin në Serbi dhe më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Te dyshuarit janë  intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe janë dërguar në mbajtje.

Viktimat janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër migrimit të paligjshëm, kontrabandës me njerëz dhe çdo veprimtarie që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues./Lajmi.net/