​Padrejtësia ndaj ish-krerëve të UÇK-së, protesta e 7 gushtit vazhdon më 14 shtator në Hagë

Me iniciativë të mërgatës dhe me mbështetje të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 14 shtator nga ora 14:00 do të protestohet në Hagë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë të cilët ndodhen në paraburgim nga viti 2020, raporton KosovaPress. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës…

Lajme

21/08/2025 14:00

Me iniciativë të mërgatës dhe me mbështetje të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 14 shtator nga ora 14:00 do të protestohet në Hagë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë të cilët ndodhen në paraburgim nga viti 2020, raporton KosovaPress.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati në një konferencë për medie tha se kjo protestë po organizohet për të shprehur pakënaqësitë ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gucati tha se autoritetet holandeze e kanë pranuar këtë protestë, tashmë pritet të vendoset për lokacioni e këtij aktiviteti.

“Do të mbahet një protestë në Hagë më datën 14 shtator në ora 14:00. Mërgata dhe veteranët që i kemi në mërgatë kanë kërkuar ndihmën tonë prej tri shoqatave të dala nga lufta nga OVL, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe ne iu kemi përgjigjur në momentin e caktuar që na kanë thirrur…Arsyeja pse mbahet kjo protestë më 14 shtator, më datën 15 shtator do të ketë dëshmitari i parë që do të jetë i mbrojtjes tonë është nga Amerika dhe ne do të dalim në mbështetje të tyre dhe do të dalim t’i drejtojmë të gjitha pakënaqësitë tona që ajo gjykatë është duke punuar dhe vepruar. Gjithçka mund të ketë aty mund të] thirret edhe në emër të drejtësisë, por drejtësi nuk ka në atë gjykatë dhe ne si organizata të dala nga lufta kemi shprehu në moment të caktuar që t’i dalim në mbështetje bashkëluftëtarëve tanë nga Amerika dhe Evropa që t’i bashkëngjitemi kësaj proteste”, tha ai.

Gucati tha se më shumë se 200 qytetarë nga Kosova kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në këtë protestë, por shtoi se nuk mund të organizojnë transport për të gjithë ata që duan të jenë pjesëmarrës.

“Ne nuk mund të organizojmë autobusë, por na u kanë lajmëruar në mënyrë vullnetare shumë qytetarë që veç kanë bërë rezervime prej dje mbi 200 i kemi me emër, mbiemër që udhëtojnë“, deklaroi Gucati.

Njëri nga organizatorët e kësaj proteste nga mërgata, Fatmir Koci tha se qëllimi i kësaj proteste është që t’i tregohet botës që lufta e Kosovës ka qenë e drejtë dhe se Gjykata Speciale po iu bënë padrejtësi ish-krerëve të UÇK-së.

“Atje nuk po gjykohen individë, por po gjykohet lufta jonë e drejtë për liri dhe vetë shtetësia e Kosovës. Prandaj, iu bëj thirrje të gjitha institucioneve, partive politike pa ngjyra politike dhe çdo shqiptari në diasporë që më 14 shtator të jemi bashkë para gjykatës në Hagë të tregojmë se Kosova nuk pranon më padrejtësi në emër të drejtësisë. Luftën e kemi fituar me gjakun e dëshmorëve dhe bashkëpunimin e aleatëve tanë. Kemi interesim të madh nga mërgimtarët gjithandej diasporës nga Amerika, nga Australia e largët edhe Evropa që më 14 shtator të jemi të gjithë të bashkuar dhe është koha e fundit që të jemi bashkë dhe t’i tregojmë botës që lufta jonë ka qenë e drejtë dhe kjo gjykatë që po mbahet ndaj krerëve të luftës është e padrejtë“, theksoi Koci.

Mërgimtari i cili jeton në Gjermani para gazetarëve në Prishtinë tha se interesimi i mërgimtarëve për të marrë pjesë në këtë protestë është shumë i madh.

Koci tregoi se tashmë kanë organizuar edhe autobusë për shkuarjen e pjesëmarrësve në protestë më datën 14 shtator në Hagë.

“Sa i përket prej diasporës organizimi do të jetë shumë i mirë, çdo qytet do të ketë autobusë për me marr pjesë sa më masivisht në protestën e 14 shtatorit, prej çdo qyteti do të ketë autobusë se interesimi është shumë i madh”, deklaroi ai.

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjes së Dëshmorëve, theksoi se përmes kësaj proteste do të tregojnë se në Hagë në emër të drejtësisë po ndodh padrejtësi.

“Është gjykatë politike, është e njëanshme dhe nuk merret me drejtësinë, target dhe sulm ka qenë lufta e lavdishme e UÇK-së. Ani pse institucionet tona parlamenti ka dashur t’i jap hapësirë duke menduar se kjo gjykatë do të vlerësojë drejt dhe do të ndajë drejtësi, ka ndodhur e kundërta….Edhe kjo protestë fuqishëm do t’i tregojë Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës dhe politikës ndërkombëtare t’u kërkojmë veprim, sepse atje në emër të drejtësisë po ndodh padrejtësi”, deklaroi Jashari.

Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të nisë paraqitjen e provave për rastin e saj nga 15 shtatori i këtij viti.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Hagë nga viti 2020.

Një protestë masive u mbajt në Prishtinë më 7 gusht kundër padrejtësisë që po iu bëhet ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.