Petrit Hajdari i PDK-së mohon zërat për heqjen e emrit të Fehmi Lladrovcit nga sheshi kryesor i Drenasit: “Kurrë nuk do të ndodhë një gjë e tillë”
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka reaguar ashpër ndaj një videoje të publikuar së fundmi nga një përkrahës i kryetarit aktual Ramiz Lladrovci, në të cilën pretendohet se PDK, pas fitores eventuale në zgjedhje, do të largojë emrin e Fehmi Lladrovcit nga sheshi qendror i qytetit. Hajdari e ka quajtur këtë…

Lajme
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka reaguar ashpër ndaj një videoje të publikuar së fundmi nga një përkrahës i kryetarit aktual Ramiz Lladrovci, në të cilën pretendohet se PDK, pas fitores eventuale në zgjedhje, do të largojë emrin e Fehmi Lladrovcit nga sheshi qendror i qytetit.
Hajdari e ka quajtur këtë pretendim “shpifje të neveritshme” dhe ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj personit që ka përhapur videon, transmeton lajmi.net
“E para, propozuesi dhe inicuesi i emrit të sheshit në Asamblenë Komunale kam qenë unë bashkë me grupin e PDK-së,” ka shkruar ai në reagimin e tij. “JU GARANTOJ që asnjëherë, në asnjë rrethanë, FEHMI LLADROVCI NUK PREKET,” shtoi Hajdari, duke theksuar se ky emër është i paprekshëm përtej politikës dhe përtej komunës së Drenasit.
Ai e ka cilësuar këtë video si një përpjekje të dëshpëruar për të dëmtuar PDK-në, në kohën kur – sipas tij – fitorja e partisë së tij është e pashmangshme. “PDK është e qartë: Propaganda nuk kalon,” përfundoi Hajdari.
Postimi i plotë:
FEHMI LLADROVCI NUK PREKET
Ditëve të fundit, në qarkullim është një video e gërditshme e një përkrahësi të pushtetit, i cili në stilin e Vetëvendosjes, pra si thashethem, ka nxjerrë një video ku pretendon se PDK-ja ka thënë se pas fitores do t’ia heqë sheshit emrin e Fehmi Lladrovcit.
Përveç padisë për shpifje që padyshim do ta presë personin në fjalë, në vijim sqaroj:
E para, propozuesi dhe inicuesi i emrit të sheshit në Asamblenë Komunale kam qenë unë bashkë me grupin e PDK-së.
E dyta, duke mos e ditur a është nga Drenasi personi në fjalë, krejt çka është thënë këtu është shpifja që synon dëmtimin e PDK-së, pasi e kanë parë që fitorja jonë është e pashmangshme.
E treta, JU GARANTOJ që asnjëherë, në asnjë rrethanë FEHMI LLADROVCI NUK PREKET. Ai është hero kombëtar që është edhe përtej komunës sonë. Jo vetëm kur unë të jem kryetar, por edhe në pleqërinë time do të organizohesha të mos e lejoj një gjë të tillë pavarësisht kush është në zyrë. KURRË!
PDK është e qartë: Propaganda nuk kalon./lajmi.net/