AKB thotë se KEDS i ka ndërprerë më shumë se 1200 njehsorë elektrikë: Dëmet janë shumë milionëshe, ekonomia do të mbetet në errësirë
Aleanca Kosovare e Bizneseve sot ka mbajtur një konferencë për media, ku kryetari i saj, Agim Shahini ka thënë se me vendimin e ZRrE-së për daljen e bizneseve në treg të lirë të energjisë, këto biznese po përballen me një krizë të paprecedentë. Ai ka thënë se KEDS në mënyrë të dhunshme me asistimin e…

Lajme
Aleanca Kosovare e Bizneseve sot ka mbajtur një konferencë për media, ku kryetari i saj, Agim Shahini ka thënë se me vendimin e ZRrE-së për daljen e bizneseve në treg të lirë të energjisë, këto biznese po përballen me një krizë të paprecedentë.
Ai ka thënë se KEDS në mënyrë të dhunshme me asistimin e Policisë, i ka ndërprerë më shumë se 1200 njehsorë elektrikë, që sipas tij përfshijnë më shumë se 200 kompani që kanë më shumë se 10 mijë punëtorë.
“Aktualisht janë rreth 100 biznese, pa rrymë dhe energji. Ky veprim ka ndaluar prodhimin, ka krijuar avarin në ekonomi, ka shkaktuar stres të madh te punëtorët, menagjerët, ka dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës i vend i sigurt për investime për investitorët vendor si dhe për ata të huaj. Dëmet materiale janë shumë milionëshe por ende nuk i kemi të sakta. Është e papranueshme se si një institucion i shtetit, Policia e Kosovës të përdoret për të asistuar një kompani private kundër kompanive të tjera private, pa vendim gjykate. Kjo është një shkelje e rëndë ligjore, një abuzim me autoritetin dhe një goditje direkt ndaj sundimit të ligjit dhe të drejtës për biznes”, ka thënë Shahini.
Ai ka thënë se AKB e konsideron këtë një goditje të rëndë ndaj ekonomisë së vendit dhe prodhuesve vendorë.
“Bizneset janë shtyllë e zhvillimit, krijues të vendeve të tjera të punës, kontribues kryesor të buxhetit ku vitin e kaluar përafërsisht mbi 2.5 miliardë euro kontribuan në buxhetin e shtetit. Nuk mund të lejojmë që ato të trajtohen si armik, të ndalen dhe të mbesin pa rryme dhe ekonomia të mbetet në errësirë. Prandaj Aleanca dhe bizneset prodhuese, tregtare dhe shërbyese kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të kësaj fushate kundër bizneseve. Të krijohet një dialog i hapur bashkarisht me ZRrE-në, KEDS-in, komunitetin e bizneseve duke përfshirë këtu edhe vetë Qeverinë, për të dal nga kjo krizë e thellë. Transparencë dhe respektim të ligjit, trajtim të barabartë të gjitha bizneseve sepse këtë e vërteton Kushtetuta e Republikës së Kosovës.”, ka shtuar Shahini.
Ai ka thënë se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, AKB do të ndërmarr të gjitha mjetet juridike në instancat më të larta të Kosovës dhe jashtë saj, për të mbrojtur të drejtën e bizneseve dhe për të siguruar sundimin e ligjit.
“Shumë biznese të drejtat e veta i kanë konfirmuar dhe i kanë marrë nga arbitrat e ndryshëm ndërkombëtarë. Në të ardhmen, bizneset do të kërkojnë edhe jashtë të drejtën e vetë. Bizneset nuk janë fajtorë, ato janë viktima të një vendimi të padrejtë të ZRrE-së e përkrahur nga institucionet e shtetit. Nëse nuk ndërmerret asgjë, ekonomia sot do të varfërohet edhe më shumë, nesër do të kemi vende më pak të punës, investime më pak e për zhvillim mos të flasim. Beteja e bizneseve prodhuese, tregtare e shërbyese do të vazhdoj deri në vendin meritor nga institucionet më të larta të shtetit të Kosovës”, ka shtuar Shahini.
KEDS, të shtunën ka filluar shkyçjen e bizneseve të cilat nuk kanë lidhur kontrata për furnizim me energji elektrike, pas daljes së tyre në treg të lirë. /Lajmi.net/