​Kuçi: Protesta në Serbi mund të eskalojë në luftë civkle

Protestuesit në Serbi me revoltën e tyre, veçanërisht ditëve të fundit, kanë shprehur tendencën që kjo protestë të kalojë në luftë civile, nëse qeveria nuk realizon kërkesat e tyre. Kështu thotë hulumtuesi në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi, derisa thekson se rrahjet dhe incidentet e vazhdueshme ndaj protestuesve po ndodhin me…

Lajme

18/08/2025 09:57

Protestuesit në Serbi me revoltën e tyre, veçanërisht ditëve të fundit, kanë shprehur tendencën që kjo protestë të kalojë në luftë civile, nëse qeveria nuk realizon kërkesat e tyre.

Kështu thotë hulumtuesi në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi, derisa thekson se rrahjet dhe incidentet e vazhdueshme ndaj protestuesve po ndodhin me urdhrin e presidentit serb Aleksander Vuçiq.

Në një intervistë për KosovaPress, Kuçi i quan manipulime deklaratat e Vuçiqit, përmes së cilave ai akuzon Perëndimin se po ndihmojnë financiarisht protestuesit në Serbi.

Përmes protestave në Serbi që filluan nga nëntori i 2024-ës, ndër të tjera kërkohet zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe llogaridhënie lidhur me tragjedinë në Novi Sad.

“Atje (Serbi) protestuesit me revoltën që e kanë bërë ditëve të fundit kanë shprehur që mund të ketë tendenca të dukshme që nëse qeveria nuk merr masat e duhura për të realizuar kërkesat e tyre, atëherë mund të eskalojë edhe në një luftë civile. Por, akoma nuk mund të themi që Serbia është në luftë civile pasi nuk kemi protestues të armatosur, të cilët kanë armët e tyre e po ashtu kanë edhe një në thonjëza ‘regjiment sulmues’ dhe po ashtu nuk kemi edhe një qeveri e cila ka filluar të jetë në anarki të plotë në Serbi”, thotë Kuçi.

Kuçi thekson se veprimet ndaj protestuesve në Serbi po kryhen nën ndikimin e drejtpërdrejtë të presidentit Aleksandar Vuçiq, për të cilin thotë se ka kapur shtetin.

Sipas tij, deklaratat e Vuçiqit kanë filluar të humbasin peshën reale, ndërsa përdorimi i narrativave kundër akuzave për autokraci lidhet me shfrytëzimin e interesave gjeopolitike të Bashkimit Evropian.

Kuçi potencon se presidenti serb po i përdor këto interesa për të ushtruar presion ndaj BE-së dhe Perëndimit, duke akuzuar këto vende për financim dhe mbështetje të protestuesve, gjë që, sipas tij, përbën manipulim dhe rrezik për përçarje.

“Serbinë e kemi parë që edhe në renditjet globale por edhe në veprimet e tyre reale është duke treguar se janë duke ndodhur të gjitha më urdhrin e Vuçiqit. Të gjitha këto janë duke u bërë me kapjen e shtetit që e ka bërë ai atje… Ajo se çfarë thotë Vuçiqi tashmë ka filluar ta humbë rëndësinë e tij të vërtetë dhe po ashtu fatkeqësia është se pse vazhdon Vuçiqi të gënjejë është hutia e Bashkimit Evropian kundrejt Serbisë që është duke i ndodhur për çështje të ftohta gjeopolitike siç është çështja e litiumit. Vuçiqi sot vazhdon akoma t’i përdorë narrativat e tij, (kinse) nuk është autokrat ose diçka e tillë, për shkak se ai i shfrytëzon interesat e ndryshme që kanë të bëjnë me BE-në dhe po ashtu ka filluar që çdo herë e më shumë ta kërcënojë BE-në dhe gjithë Perëndimin. Së fundi ai e shprehu edhe një akuzë ndaj gjithë Perëndimit se Perëndimi është duke i financuar dhe ndihmuar protestuesit në Serbi… Kjo ndikon edhe në përçarje. Deklarata të tilla të vetë Vuçiqit janë më shumë manipulime”, potencon Kuçi.

E për të larguar vëmendjen nga trazirat që po ndodhin në Serbi, siç thotë Kuçi, presidenti Vuçiq vepron kundrejt Kosovës apo bën veprime agresive ndaj shteteve përreth saj.

Këtu, Kuçi përmend arrestimet e njëpasnjëshme kohëve të fundit të kosovarëve nga autoritetet serbe.

“E kemi parë që gjithmonë kur Vuçiqi ka një problem me çështje të brendshme, atëherë i sulen çështjes së Kosovës, vepron kundrejt Kosovës apo bën veprime agresive ndaj shteteve përreth saj. Edhe në rastet e më hershme Vuçiqi dhe BIA serbe në koordinim vepruan kundrejt Kosovës duke i arrestuar disa njerëz për shkak të çështjeve të hakmarrjes për shkak se u zbulua një rrjet i inteligjencës së Serbisë dhe tani po ashtu kur filluan të ndodhnin protestat në Serbi ai mori veprime të ngjashme. Ata dëshirojnë vazhdimisht ta mbajnë fokusin jashtë protestave në Serbi që po ndodhin atje dhe po ashtu ta ngrisin çështjen e problemit të Kosovës sa më lartë”, thotë Kuçi.

Krahas këtyre, hulumtuesi në Institutin “Octopus”, Gurakuç Kuçi, flet edhe për veprimet e Listës Serbe kohëve fundit, duke theksuar se presidenti Vuçiq e sheh këtë subjekt si “dorën e tij të zgjatur” në Kosovë.

Kuçi apelon për vigjilencë nga institucionet e sigurisë, organizatat ndërkombëtare dhe KQZ-ja, duke paralajmëruar për mundësinë e blerjes së votave nga Lista Serbe, sikurse dyshohet se ka ndodhur edhe në zgjedhjet e shkurtit 2025.

Sipas tij, nevojitet auditim i rreptë i fluksit të parave për të parandaluar financimet ilegale dhe kërkohet mbikëqyrje e shtuar ndërkombëtare, ashtu si në proceset zgjedhore të kaluara.

“Në vetvete, aplikimi i një subjekti politik serb, cilido qoftë ai, nuk paraqet ndonjë problem për shkak se Kosova është një demokraci ku iniciativa dhe grupet e ndryshme politike apo partitë politike kanë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje. Duhet që të gjitha organet e sigurisë, organizatat ndërkombëtare, ato vendore e po ashtu edhe vetë KQZ-ja t’i mbajnë sytë hapur për shkak se Lista Serbe është një parti politike e cila Vuçiq e sheh si dorën e zgjatur të vetë në Serbi. Së fundi, ata janë duke u angazhuar që të blejnë votat e serbëve pro Listës Serbe, sikur kanë bërë në zgjedhjet e shkurtit 2025… Duhet të bëhet auditim i rreptë i fluksit të parave që mund të hyjnë në rrugë ilegale. Kërkohet mbikëqyrje e shtuar ndërkombëtare, sikur që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit”, shprehet Kuçi.

Ndërkaq, kujtojmë se protestat në Serbi kanë nisur në nëntor të vitit 2024 dhe janë shtrirë veçanërisht në Beograd dhe qytete të tjera kryesore.

Ato organizohen kryesisht nga studentë dhe qytetarë të pakënaqur me qeverisjen aktuale, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, llogaridhënie për korrupsion dhe tragjedi të ndryshme, si dhe reforma në sistemin politik.

Protestat shpesh kanë përfshirë përplasje me policinë, ndërsa hulumtuesit dhe analistët paralajmërojnë për rreziqe të mundshme për përshkallëzim të konflikteve