Zelensky: Ne duam garanci si Neni 5 i NATO-s dhe pranimi në BE

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot në Bruksel se është thelbësore që Evropa të mbetet aq e bashkuar sikurse në vitin 2022 kur filloi pushtimi i plotë rus, pasi vetëm atëherë do të jetë e mundur të arrihet paqja e vërtetë. Ai tha se një samit trepalësh midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara ishte…

Bota

17/08/2025 15:41

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot në Bruksel se është thelbësore që Evropa të mbetet aq e bashkuar sikurse në vitin 2022 kur filloi pushtimi i plotë rus, pasi vetëm atëherë do të jetë e mundur të arrihet paqja e vërtetë.

Ai tha se një samit trepalësh midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara ishte i nevojshëm, por se “Rusia nuk po tregon shenja” se do të bjerë dakord për bisedime të tilla.

“Putin ka shumë kërkesa, por ne nuk i dimë të gjitha”, tha Zelensky, duke shtuar se do të duhet kohë për t’i shqyrtuar ato, por se është “e pamundur ta bëjmë këtë nën presionin e armëve”.

“Nëse Rusia refuzon, atëherë duhet të pasojnë sanksione të reja”, tha Zelensky në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Zelensky falënderoi presidentin Donald Trump dhe Shtetet e Bashkuara për gatishmërinë e tyre për të punuar me Evropën për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën, por theksoi se “nuk ka ende detaje se si do të funksionojë kjo”, raporton KosovaPress.

“Diçka si Neni 5 i NATO-s, dhe ne besojmë se pranimi në Bashkimin Evropian duhet të jetë pjesë e garancive të sigurisë”, tha Zelensky.