AGK mirëpret zgjidhjen e përkohshme për RTK-në, kërkon fundin e presionit politik nga Vetëvendosje
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për të miratuar një kredi prej 2.5 milionë euro për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke e cilësuar këtë si një zgjidhje të përkohshme që siguron funksionimin e transmetuesit publik për së paku tre muajt e ardhshëm, përfshirë edhe ekzekutimin e…

Lajme
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për të miratuar një kredi prej 2.5 milionë euro për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke e cilësuar këtë si një zgjidhje të përkohshme që siguron funksionimin e transmetuesit publik për së paku tre muajt e ardhshëm, përfshirë edhe ekzekutimin e pagave për rreth 700 punonjës.
AGK-ja ka përgëzuar stafin e RTK-së për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në kushte të presionit financiar, ndërsa ka kritikuar Qeverinë në detyrë dhe partinë që e udhëheq atë, Lëvizjen Vetëvendosje, për siç thuhet, presionin e vazhdueshëm politik ndaj RTK-së, të ushtruar në forma të ndryshme.
Në fund, AGK-ja ka bërë thirrje që legjislatura e re e Kuvendit të miratojë një Ligj të ri për Transmetuesin Publik, i cili do të garantonte pavarësinë e RTK-së, stabilitetin financiar dhe zgjidhjen afatgjate të çështjes së pronës së saj.
Reagimi i plotë:
AGK-ja e mirëpret zgjidhjen e përkohshme financiare për RTK-në
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e mirëpret vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për të miratuar një kredi prej 2.5 milionë Eurosh për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Nëpërmjet këtij vendimi mundësohet funksionimi në së paku 3 muajt e ardhshëm për RTK-në, dhe ekzekutimi i pagave për 700 punonjësit e saj.
AGK-ja ka qëndruar pranë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të RTK-së që prej fillimit dhe i përgëzon ata për kryerjen e detyrave me gjithë presionin financiar.
AGK-ja e fton Qeverinë në detyrë të Kosovës, dhe partinë politike që e udhëheq atë, Vetëvendosje që të ndalojë presionin e vazhdueshëm politik ndaj RTK-së, të ushtruar në forma të ndryshme.
AGK-ja bën thirrje që legjislatura e re të miratojë një Ligj të ri për Transmetuesin Publik, që do të garantonte funksionimin e pavarur e të papenguar të RTK-së, duke përfshirë edhe gjetjen e zgjidhjes për pronën./lajmi.net/