KEDS: Të shtunën nis shkyçja për bizneset që s’kanë nënshkruar kontratë me furnizues të licencuar
KEDS ka njoftuar se të shtunën do të nis shkyçja nga rrjeti elektrik për bizneset që nuk kanë nënshkruar kontratë me furnizues të licencuar. KEDS u ka bërë thirrje bizneseve që nëse ende s’kanë nënshkruar kontratë me një furnizues të licencuar nga ZRRE, ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesë për të shmangur ndërprerjen…

Lajme
KEDS ka njoftuar se të shtunën do të nis shkyçja nga rrjeti elektrik për bizneset që nuk kanë nënshkruar kontratë me furnizues të licencuar. KEDS u ka bërë thirrje bizneseve që nëse ende s’kanë nënshkruar kontratë me një furnizues të licencuar nga ZRRE, ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesë për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike.
Nga KEDS është thënë edhe se ata nuk ofrojnë shërbime të furnizimit me energji elektrike-por që roli i tyre është i kufizuar në shpërndarjen e energjisë elektrike dhe se janë të detyruar të zbatojmë të gjitha vendimet e ZRRE-së.
Komunikata:
Të shtunën nis shkyçja nga rrjeti elektrik për bizneset që nuk kanë nënshkruar kontratë me furnizues të licencuar
KEDS, në cilësinë e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, njofton urgjentisht të gjithë konsumatorët e kyçur në çdo nivel tensioni brenda rrjetit shpërndarës për njoftimin shumë të rëndësishëm si në vijim:
Në pajtim me njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) të datës 13 gusht 2025, duke filluar nga data 16 gusht 2025, KEDS e ka të ndaluar ligjërisht të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që nuk kanë marrëveshje të vlefshme me një Furnizues të licencuar. Ky detyrim buron nga paragrafi 7 i nenit 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe neni 8 i Rregullës për Ndërrimin e Furnizuesit.
Veprim i menjëhershëm dhe i domosdoshëm!
Për të ruajtur stabilitetin dhe integritetin e sistemit elektroenergjetik, më 16 gusht 2025 KEDS do të shkyçë nga rrjeti i shpërndarjes të gjithë konsumatorët që nuk kanë një marrëveshje aktive furnizimi.
Nëse ende nuk keni nënshkruar kontratë me një Furnizues të licencuar nga ZRRE, duhet ta bëni këtë pa vonesë për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike.
Ky proces përbën një detyrim ligjor si pjesë e reformave të liberalizimit të tregut të energjisë, sipas udhëzimeve të ZRRE dhe duhet të zbatohet plotësisht. KEDS nuk ofron shërbime të furnizimit me energji elektrike-roli ynë është i kufizuar ekskluzivisht në shpërndarjen e energjisë elektrike dhe jemi të detyruar të zbatojmë të gjitha vendimet e ZRRE-së.
Mosveprimi i menjëhershëm do të rezultojë me shkyçje nga rrjeti.
Ju bëjmë thirrje që menjëherë të kontaktoni një Furnizues të licencuar nga ZRRE për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike, për të përmbushur kërkesat rregullative dhe për të evituar ndërprerjen tuaj me furnizim.
KEDS është i përkushtuar për të ofruar shërbime sa më cilësore dhe të jetë në dispozicion të çdo konsumatori, dhe zbaton me përpikëri të gjitha direktivat që vijnë nga organet rregulluese.