Nevzad Lutfiu thotë se 200 adresa të shqiptarëve janë pasivizuar në Luginë këtë vit
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka thënë të enjten se autoritetet serbe i kanë pasivizuar 200 adresa të shqiptarëve në jug të Serbisë deri tani këtë vit. Ai tha se këto të dhëna i mori nga stacionet policore në Bujanoc dhe Preshevë për periudhën janar-korrik 2025. “Përgjigjen me…

Lajme
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka thënë të enjten se autoritetet serbe i kanë pasivizuar 200 adresa të shqiptarëve në jug të Serbisë deri tani këtë vit.
Ai tha se këto të dhëna i mori nga stacionet policore në Bujanoc dhe Preshevë për periudhën janar-korrik 2025.
“Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa”, shkroi Lutfiu në Facebook.
Ai theksoi se ka “dyshime për dhënat në komunën e Bujanocit dhe se është në pritje “të një përgjigje tjetër për ta vërtetuar këtë”.
Lutfiu shtoi se “ajo që po ndodh është racizëm, një spastrim i pastër etnik”.
Pasivizimi i adresave është një çështje për të cilën shqiptarët në jug të Serbisë janë ankuar vazhdimisht dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.
Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.
Në të është thënë se pasivizimi i adresave duket se është kryer në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë.
Nëntorin e kaluar, Bashkimi Evropian tha se ishte në dijeni për shqetësimet e shqiptarëve në jug të Serbisë në lidhje me pasivizimit të adresave të tyre, dhe i bëri thirrje përsëri Beogradit zyrtar ta sqarojë këtë çështje.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.
Njoftimi i Lutfiut vjen një ditë pasi zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi nuk është vetëm nevojë, por “edhe domosdoshmëri”.
Ai më 13 gusht u takua me deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Në takim, sipas njoftimit të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, u diskutua për “politikat diskriminuese e shtypëse të Serbisë” ndaj shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.
Muajin e kaluar, Kamberi e dorëzoi një draft-rezolutë në Kuvendin e Serbisë lidhur me situatën e shqiptarëve në jug të Serbisë, dhe ka propozuar që kjo temë të jetë pjesë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Në draft-rezolutën e Kamberit kërkohet që Kuvendi i Serbisë “të pranojë qasjen diskriminuese dhe të shprehë përkushtim institucional për të përmirësuar pozicionin e komunitetit shqiptar në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”.
Dokumenti bën thirrje për zbatim të marrëveshjeve të viteve 2001, 2009 dhe 2013, dhe për pezullim të menjëhershëm të masave administrative për pasivizim të adresave.