Promovohet gjidhënia në muralin e QKMF-së në Prishtinë
Vepra e artit e ekspozuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë nuk është vetëm një mural, por “një homazh i forcës, sfidës dhe dashurisë që vetëm nënat dinë të japin më së miri”. Kështë theksoi Ermira Murati, autorja e veprës, pasi murali i saj u ekspozua në kuadër të javës dedikuar gjidhënies në…

Lajme
Vepra e artit e ekspozuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë nuk është vetëm një mural, por “një homazh i forcës, sfidës dhe dashurisë që vetëm nënat dinë të japin më së miri”.
Kështë theksoi Ermira Murati, autorja e veprës, pasi murali i saj u ekspozua në kuadër të javës dedikuar gjidhënies në QKMF.
“Ky nuk është vetëm një mural, por një homazh i forcës, i sfidës, i dashurisë që vetëm nënat dinë të japin më së miri”, tha ajo.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, përmendi organizatën joqeveritare Action for Mothers and Children, e cila ishte pjesë e organizimit të këtij projekti. Sipas tij, AMC vazhdimisht ka siguruar trajnime në çdo pikë të QMF-së, në lidhje me vizitat e grave shtatzëna dhe fëmijëve deri në 3 vjeç.
“Bashkë me AMC-në, ne kemi bërë një projekt të përbashkët, e që kemi dashur të bëjmë një dekorimi të murit për qëllim të promovimit të këtij aktiviteti, për arsye se Komuna e Prishitnës këtij tre vjeçari i ka kushtuar rëndësi shëndetit të fëmijëve dhe nënës. Kemi filluar për herë të parë projektin për vizitën e grave shtatzënë dhe fëmijëve 0-3 vjeç dhe këtë muaj kemi rritur stafin. Në çdo pikë të QMF-së kemi staf të ri, të cilin vazhdimisht e ka trajnuar AMC”, tha Sadiku.
Rina Demiri Spahija, drejtoreshë e AMC-së, rikujtoi se para një dekade nënat në periudhën e paslindjes kishin mungesë të mbështetëjes publike shëndetësore, ndërsa sot gjërat janë pak më ndryshe.
“Në atë kohë [para 10 vitesh], vizitat shtëpiake nuk kanë qenë të shtrira në qytetin e Prishtinës. Tani, çdo nënë e ka mundësinë të këshillohet nga profesionistët më të mirë të sistemit tonë publik shëndetësorë. Bashkë, si një OJQ dhe sektor publik, ta forcojmë shtetin tonë, sepse një nënë dhe një fëmijë i shëndetshëm është një qytetar aktiv në të ardhmen”, shprehu Demiri Spahija.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se komuna që drejton mundëson që nënat e reja të kenë qasje të mirë dhe të lehtë për të marrë informacione shtesë për mënyrën më të mirë për gjidhënien.
“Secila nënë e re ka mundësi për vizitë. Ne faktikisht financojmë me partnerët tanë, me minstrinë, që nënat e reja të kenë qasje të mirë dhe të lehtë që të marrin informacione shtesë për mënyrën më të mirë për gjidhënien dhe për një fillim të mirë të fëmijëve të tyre”, tha ai./kp