“Fajdexhiu i preferuar i politikanëve”- si u bë që Mefail Shkodra të fotografohet me Kurtin, Osmanin, Sveçlën e Ramën?

Një vrasje shumë e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Gjilanit, saktësisht në një lokal të këtij qyteti ku tre persona kanë ndërruar jetë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. Nga ky rast kanë mbetur të vdekur babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani ndërsa identiteti i viktimës së tretë nuk dihet ende,…

Lajme

10/08/2025 17:38

Një vrasje shumë e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Gjilanit, saktësisht në një lokal të këtij qyteti ku tre persona kanë ndërruar jetë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.

Nga ky rast kanë mbetur të vdekur babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani ndërsa identiteti i viktimës së tretë nuk dihet ende, shkruan lajmi.net.

I dyshuari kryesor për rastin në fjalë është Mefail Shkodra, i cili është arratisur dhe po kërkohet nga Policia e Kosovës.

Shkodra ndonëse edhe vitin e kaluar ishte arrestuar për fajde, ai duket të ketë qenë i afërt me disa akterë politik në vend.

Ai ka realizuar e publikuar fotografi me disa nga personat kryesorë të politikës në vend si dhe udhëheqës të shtetit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama kanë realizuar fotografi me Mefail Shkodrën.

Ai është parë në shumë organizime të partive politike në vend, por nuk dihet në çfarë cilësie.

Rastin e fundit në Gjilan, e kishte konfirmuar për lajmi.net sot, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Ju njoftoj se sot 10.08.2025 rreth orës 12:32  dyshohet se ka ndodhur një rast vrasje dhe plagosje me armë zjarri  në Gjilan rr. “Ibrahim Rugova “ . Në këtë rast mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e dy personave ,dyshohet se edhe dy persona të tjerë janë plagosur  dhe u është ofruar ndihmë në qendrën emergjente këtu në Gjilan. I dyshimt për rastin është personi mashkull shtetas i Kosovës i njohur për policinë I cili për momentin është në arrati . Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit. Policia e Kosovës Njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë”, ka thënë Hashani.

Pas këtij konfirmimi lajmi.net ka mësuar nga burimet e veta se ka humbur jetën edhe personi i tretë ndërsa një tjetër është i plagosur.

Të dyshuarin e këtij rasti, Mefail Shkodrën, po e kërkon Policia e Kosovës të cilët kanë kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për ta gjetur.

Mefail Shkodra, i dyshohet për vepren penalë “Vrasje e rëndë”.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Gjilan kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit në foton e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: [email protected] dhe numrat kujdestarë:192; 03850807001. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, ka thënë Policia e Kosovës.

Shkodra tashmë është fytyrë e njohur për policinë i cili është i përfshirë në shumë raste të fajdeve.

Vitin e kaluar gjatë operacionit policor të realizuar më 21 qershor, nën pranga të Policisë së Kosovës kishin përfunduar Mefail Shkodra dhe Edonis Shkodra derisa në kërkim ishte edhe Albert Malisheva.

Kjo pasi Policia e Kosovës saktësisht Njësiti Kundër Krimeve Ekonomike kishin realizuar aksione për “luftimin e fajdes”.

Aksioni erdhi pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale “Fajde dhe Detyrim.

“Policia e Kosoves, konkretisht, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore ne bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, me datë 21.06.2024 ka filluar  realizimin e operacionit policor për arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale Fajde dhe Detyrim.Gjate datës 21.06.2024 janë arrestuar dhe janë dërguar ne mbajtje dy persona te dyshuar, ndërsa i dyshuari i tretë, nuk është gjetur ne shtëpinë e tij. Me date 24.06.2024, i njëjti (i dyshuari i trete) është identifikuar dhe pas intervistimit me vendim te Prokurorit është ndaluar për 48 ore per procedura te metejme ligjore”, ishte thënë nga Policia e Kosovës. /Lajmi.net/