Haxhiu ngre alarmin për përbërjen e Gjykatës Kushtetuese: Radomir Llaban dyshohet se është bashkëpunëtor i BIA-s dhe Radoiçiqit

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se gjyqtari serb i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban dyshohet se është një nga bashkëpunëtorët e Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA). Në një konferencë për media të dielën, Haxhiu deklaroi se edhe pse kishte kërkuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi që të mos e dekretonte Llabanin si…

Lajme

10/08/2025 13:32

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se gjyqtari serb i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban dyshohet se është një nga bashkëpunëtorët e Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA).

Në një konferencë për media të dielën, Haxhiu deklaroi se edhe pse kishte kërkuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi që të mos e dekretonte Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, kërkesa ishte injoruar.

“Para ca ditësh kam shpërndarë letrën ku i isha drejtuar ish-presidentit Thaçi me kërkesën për mosdekretimin e Radomir Llaban si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale,” tha Haxhiu.

Sipas saj, informacionet që ajo kishte pranuar nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ishin “serioze, shqetësuese dhe të mjaftueshme për të refuzuar emërimin e tij”.

“Radomir Llaban kishte kaluar provimin e noterisë, por informacionet që kisha pranuar nga AKI-ja ishin serioze, shqetësuese dhe të mjaftueshme për të refuzuar emërimin e tij,” theksoi ministrja.

Ministrja në detyrë, Haxhiu ka pretenduar se Llaban ka qenë i përfshirë në afera kriminale dhe korrupsion në Serbi, për të cilat ishte dënuar me gjashtë vite burgim në vitin 2006, në kohën kur ishte zyrtar në Doganat e Serbisë dhe pjesë e njësisë për inteligjencë.

“Ky rast besohet të jetë momenti kur BIA e ka komprometuar dhe ia ka organizuar zhvendosjen në Kosovë,” u shpreh Haxhiu.

Ajo ngriti alarmin se Serbia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të destabilizuar Kosovën dhe po përdor agjenturën për të shtrirë ndikimin edhe brenda institucioneve të Kosovës.

“Serbia historikisht ka përdorur dhe përdor edhe sot agjenturën për ta shtrirë ndikimin në çdo vend fqinj, e sidomos në Kosovë,” tha ajo.

Ndër të tjera, Haxhiu përmendi se kishte kërkuar edhe nga ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, që të nisin procedurat për shkarkimin e Llabanit, por përballë kësaj kërkese ajo ishte akuzuar për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit.

“Në vend të një përgjigjeje pozitive, ishim përballur me akuzën se letra jonë ishte ndërhyrje në pavarësinë e Gjykatës,” shtoi ministrja në detyrë.

Haxhiu gjithashtu pohoi se Llaban ka lidhje të afërta me kryeterroristin, Milan Radoiçiq.

“Llaban ka raporte të afërta me kryeterroristin Milan Radoiçiq,” tha ajo, duke e konsideruar këtë si dëshmi të mëtejshme të rrezikshmërisë së përfshirjes së tij në një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit.

Sipas saj, tentativa për ta mbyllur këtë çështje në heshtje është e papranueshme dhe kërkon reagim institucional e publik.