Osmani: Caktimi i gjyqtarit është komplet në diskrecion të kryetarit të Kushtetueses – Besimi jonë në këtë rast cenohet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një konference për media ka thënë se në lidhje me gjyqtarin e caktuar nga Gjykata Kushtetuese për kërkesën e Presidencës për mbrojtjen e rendit kushtetues, Radomir Laban kanë informacione zyrtare që i njëjti rrezikon sigurinë kombëtare të vendit. Ajo ka thënë se njëherë në vitin 2018, njëherë në vitin…

Lajme

05/08/2025 17:17

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një konference për media ka thënë se në lidhje me gjyqtarin e caktuar nga Gjykata Kushtetuese për kërkesën e Presidencës për mbrojtjen e rendit kushtetues, Radomir Laban kanë informacione zyrtare që i njëjti rrezikon sigurinë kombëtare të vendit.

Ajo ka thënë se njëherë në vitin 2018, njëherë në vitin 2021 e pastaj në vitin 2024 si dhe me informacione të mbledhura dhe me informacione shtesë, është vërtetuar se i njëjti rrezikon sigurinë kombëtare, informacione këto të cilat Osmani thotë se janë ndarë me Gjykatën Kushtetuese.

Në lidhje me përcaktimin e tij si gjyqtar i këtij rasti, ajo ka thënë se është komplët në diskrecion të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, të cilën e ka parë si shqetësuese.

“Unë i kuptoj rregullat brenda Gjykatës Kushtetuese, edhe i lexojmë ato në detaje. Përkundër faktit që ekziston një system elektronik, kjo çështje e caktimit të gjyqtarit në fund të fundit është komplet në diskrecion të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Është shqetësuese se përkundër ndarjes së informatave me Gjykatën Kushtetuese, por edhe pse në korrik të vitit 2024, ne si Presidente jemi deklaruar publikisht rreth kësaj teme, që institucionet e sigurisë e kanë vlerësuar të rrezikshëm për rendin kushtetues. Pikërisht në rastin më të rëndësishëm të kësaj dekade që ka të bëj jo vetëm me këto institucione pore dhe me ato që do të vijnë në të ardhmen, të caktohet si gjyqtar raportues, gjyqtari për të cilin ekzistojnë informata të tilla”, ka shtuar Osmani.

Ajo ka thënë se besimi i Presidentes në Gjykatën Kushtetuese, cenohet pas këtij rasti.

“Sa i përket besimit, natyrshëm veprimi jonë i tërheqjes së kësaj lande, sepse nuk dua që kësaj lande të i jep udhë apo t’ia trasoj rrugën një gjyqtar raportues, tregon se në këtë rast cenohet”, ka shtuar ajo. /Lajmi.net/