Qeveria e emëron Hysen Muzliukajn drejtor të IKAP-it, ish-këshilltarin e Pecit që ishte arrestuar më herët për korrupsion
Qeveria e Kosovës ka emëruar sot Hysen Muzliukajn në pozitën e drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike. Por ky emërim ka ngjallur reagime të forta për shkak të së kaluarës së tij politike dhe ligjore. Muzliukaj, për vite me radhë, është shfaqur hapur si mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje. Në prag të…

Lajme
Qeveria e Kosovës ka emëruar sot Hysen Muzliukajn në pozitën e drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike.
Por ky emërim ka ngjallur reagime të forta për shkak të së kaluarës së tij politike dhe ligjore.
Muzliukaj, për vite me radhë, është shfaqur hapur si mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje. Në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, ai kishte shpërndarë postime në mbështetje të liderit të VV-së, Albin Kurti, duke e quajtur atë “Baba”, raporton lajmi.net
Në një status në Facebook, vetëm një ditë para zgjedhjeve, ai shkruante.
“Babo faleminderit që ekziston! Po i prejna të dielen krejt deri në rrënjë! Natën e mirë e gjumin sheqer o 500 mijë zemrat e kuqe.”
Por përveç lidhjeve të tij me VV-në, Hysen Muzliukaj është emër i njohur edhe për organet e drejtësisë. Ish-këshilltar politik i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci ishte arrestuar në korrik të vitit 2023 nga Prokuroria Speciale, nën dyshimin për korrupsion gjatë kohës sa ushtronte funksionin e drejtorit për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës, nën udhëheqjen e ish-kryetarit Agim Bahtiri.
Në të njëjtën ditë ishte arrestuar edhe Faruk Mujka, ish-nënkryetar i Komunës dhe ish-kryetar i VV-së në Mitrovicë, i cili aktualisht mban postin e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”.
Arrestimi i tyre atëbotë ishte bërë me dyshimin për veprime të kundërligjshme që kishin lidhje me menaxhimin e pronës komunale.
Emërimi i Muzliukajt në një pozitë të lartë brenda administratës publike tani po shihet si i papërshtatshëm për shkak të së kaluarës së tij ligjore dhe përfshirjes së hapur në politikë./Lajmi.net/