Policia e Kosovës arreston tre persona për keqpërdorim të kartelave bankare në Prishtinë
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike, ka realizuar një operacion të suksesshëm kundër një grupi të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare dhe vepra të tjera penale. Operacioni u zhvillua më 31 korrik në rajonin e Prishtinës, ku u arrestuan dy meshkuj kosovarë, të cilët dyshohen se përdornin kartela të bardha…

Lajme
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike, ka realizuar një operacion të suksesshëm kundër një grupi të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare dhe vepra të tjera penale.
Operacioni u zhvillua më 31 korrik në rajonin e Prishtinës, ku u arrestuan dy meshkuj kosovarë, të cilët dyshohen se përdornin kartela të bardha bankare (bllanko) për tërheqje parash nga bankomatet dhe promovonin këto kartela në rrjete sociale.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar pajisje kompjuterike dhe elektronike, përfshirë kompjuterë, laptopë, telefona mobil, USB dhe disqe të jashtëm, që dyshohen se janë përdorur në kryerjen e veprave kriminale. Me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, transmeton lajmi.net
Në vijim të hetimeve intensive, më 1 gusht është arrestuar edhe i dyshuari i tretë, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e grupit.
Ai gjithashtu është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.
Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë luftën kundër veprimtarive kriminale dhe apelon te qytetarët që të jenë vigjilentë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe bankare.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit dhe me urdhër të gjykatës, ka realizuar një operacion policor nën dyshimet për përfshirje të disa personave të dyshuar në kryerje të veprave penale si ‘Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit’, ‘Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve’ dhe ‘Hyrja e paautorizuar kompjuterike’.
Operacioni policor është realizuar me datën 31.07.2025 në rajonin e Prishtinës, ku fillimisht janë arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëveprim kanë përdorur kartela të bardha bankare (bllanko), si dhe kanë shpërndarë video përmes rrjeteve të ndryshme sociale duke tërhequr para në bankomate të ndryshme, si dhe kanë përdorur disa faqe në rrjete sociale për të promovuar këto lloj kartelash.
Lidhur me rastin gjatë kontrollit janë gjetur pajisje kompjuterike si dëshmi në vendin e ngjarjes ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
-
Dy (2) kompjuterë;
-
Një (1) llaptop;
-
Dy (2) telefona mobil;
-
Tri (3) USB;
-
Një (1) HDD;
Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm, kësisoj me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.
Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve intensive të njësive përkatëse policore të cilat kanë vazhduar, me datë 01.08.2025 është ndaluar edhe i dyshuari i tretë mashkull kosovar i cili dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të personave të lartcekur, i cili po ashtu me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, dhe njëkohësisht fton qytetarët që të kenë kujdes të shtuar në mbrojtjen e të dhënave personale e bankare, dhe të mos bien pre e mashtrimve/vjedhjeve të mundshme./lajmi.net/