ZRRE paralajmëron ankesë ndaj Gjykatës Komerciale pas pezullimit të vendimit për tregun e lirë të energjisë

Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu bëri të ditur se do ta parashtrojnë ankesë ndaj Gjykatës Komerciale pas pezullimit vendimit të tregut të lirë të energjisë. “Vendimi nuk është shfuqizim. Nuk është i ekzekutueshëm menjëherë. Është aktgjykim që kemi të drejtë ankese edhe 15 ditë”, tha Fejzullahu në Kallxo.com.  Gjykata…

Lajme

31/07/2025 10:02

Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu bëri të ditur se do ta parashtrojnë ankesë ndaj Gjykatës Komerciale pas pezullimit vendimit të tregut të lirë të energjisë.

“Vendimi nuk është shfuqizim. Nuk është i ekzekutueshëm menjëherë. Është aktgjykim që kemi të drejtë ankese edhe 15 ditë”, tha Fejzullahu në Kallxo.com. 

Gjykata Komerciale e Kosovës pezulloi vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor. Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit u detyruan të kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

Kompanitë që nuk kanë arritur të lidhin kontratë me një furnizues, po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), si mundësi e fundit për sigurimin e energjisë elektrike, për një periudhë 60-ditore. Kjo periudhë, për ata që kanë lidhur kontratë me KEK-un, skadon më 31 korrik.

Për këtë datë është paralajmëruar se të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.

Por, në aktgjykimin e publikuar më 30 korrik, lidhur me padinë e ngritur nga kompania Proex kundër ZRRE-së, Gjykata Komerciale vendosi që të anulojë njoftimin e lëshuar nga ZRRE-ja më 12 mars, përmes së cilit njoftonte kompanitë për dalje në tregun e lirë, duke e cilësuar si të kundërligjshëm.

“Të gjithë konsumatorët që sipas njoftimit të paditurës [ZRRE-së] do të dalin ne treg të lirë për t’u furnizuar me energji elektrike, janë njoftuar për një ndryshim me rëndësi kaq të lartë vetëm 2 muaj e gjysmë paraprakisht. E paditura, përveç faktit që ka dështuar qe këtë çështje ta rregullojë përmes aktitadministrativ, duke ju ofruar palëve arsyetimin, bazën ligjore, këshillën juridike si dhe çështjet e tjera me rendësi për një tranzicion të tillë, ka dështuar që fillimisht të ju ofroj konsumatorëve informata të nevojshme dhe jetike për këtë proces”, u tha në vendimin e Gjykatës.

Gjykata Komerciale tha se vendimi i ZRRE-së për të nxjerrë të gjithë konsumatorët në treg të lirë, të “bazuar në një interpretim të gabuar” të dispozitave ligjore, përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi sipas gjykatës ZRRE-ja i ka trajtuar në mënyrë të padrejtë konsumatorët, që sipas ligjit, plotësojnë të paktën një nga kriteret e kërkuara për dalje në treg të lirë.

“Rrjedhimisht, vendimi dhe njoftimi i të paditurës janë të kundërligjshme, si për nga përmbajtja ligjore ashtu edhe për nga forma procedurale, duke u bazuar në interpretim të pasaktë të dispozitave dhe zbatim të gabuar të normave në dëm të konsumatorëve”, tha Gjykata Komerciale, e cila po ashtu ka anuluar pikën 4 të vendimit të ZRRE-së, me të cilin, konsumatorët fundorë kanë të drejtë të furnizohen me energji elektrike në tregun konkurrues.

Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale, duke e vlerësuar si vendim të rëndësishëm dhe që konfirmon shqetësimet e ngritura nga komuniteti i biznesit dhe nga kjo odë “lidhur me mënyrën e njëanshme dhe jo transparente të zbatimit të këtij procesi”.

“Në mungesë të një njoftimi të vlefshëm dhe në mungesë të një baze ligjore për zbatim, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga ZRRE që të anulojë vendimin e datës 05.04.2024, i cili nuk mund të prodhojë më efekte juridike. ZRRE është e detyruar të zbatojë aktgjykimet përfundimtare të gjykatës, dhe moszbatimi i tyre përbën shkelje të rëndë të rendit juridik që sjellë përgjegjësi penale”, u tha në reagimin e Odës Ekonomike të Kosovës.