Sindikata e ATK-së përgenjeshtron Muratin: Pagat e shumicës së punëtorëve në ATK nuk janë rritur as për një euro në mandatin tuaj

Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ka reaguar ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati lidhur me rritjen e pagave për shërbyesit publikë, ku sipas tij kompletohet rritja prej 110 euro, “por në fakt Ministri ka harruar zyrtarët e tij vartës në të gjitha fazat e këtij procesi, pra zyrtarët e…

Lajme

29/07/2025 15:09

Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ka reaguar ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati lidhur me rritjen e pagave për shërbyesit publikë, ku sipas tij kompletohet rritja prej 110 euro, “por në fakt Ministri ka harruar zyrtarët e tij vartës në të gjitha fazat e këtij procesi, pra zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës të cilët pikërisht ata e mbushin arkën e shtetit, pjesës dërmuese nuk ju është rritur paga as edhe një euro të vetme në mandatin e tyre”.

“Pas postimit të Ministrit Murati, Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, shpreh reagim ndaj të PA VËRTETAVE të Ministrit Murati, lidhur me rritjen e pagave për shërbyesit publikë, ku sipas tij kompletohet rritja prej 110€, por në fakt Ministri ka harruar zyrtarët e tij vartës në të gjitha fazat e këtij procesi, pra zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës të cilët pikërisht ata e mbushin arkën e shtetit, pjesës dërmuese nuk ju është rritur paga as edhe një euro të vetme në mandatin e tyre”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate.

Sipas njoftimit të kësaj sindikate, deklarimet nga qeveritaret se të gjithë shërbyesve publikë u është rritur paga, madje disa herë, nuk është e vërtetë dhe as e saktë, për hirë të informimit të drejtë të publikut, nga kjo rritje përfitojnë vetëm një pjesë e shërbyesve publikë, po ashtu edhe në ATK vetëm një pjesë përfton rritje, prandaj deklarimet e tilla duhet të jenë të vërteta dhe të sakta sepse jo të gjithë përfitojnë rritje të pagave siç thuhet.

“Që nga hyrja në fuqi e ligjit të ATK-së, Ministri Murati personalisht ka premtuar që do e nënshkruaj rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës, por që fatkeqësisht nga muaji Shkurt i vitit 2024 ajo rregullore është pluhurosur në sirtarët e Ministrit”.

Më tej thuhet se me mosmiratimin e kësaj rregulloreje, nuk vlerësohet angazhimit i stafit të ATK-së, përkundër vëllimit të madh të punës, që si rrjedhojë po ndodhin edhe dorëheqje të shumta të stafit të kualifikuar (mbi 850 sa ishin, sot janë nën 700 zyrtarë, përfshirë dhe pensionimet), ky neglizhim i stafit të ATK-së nga ana e ministrit pa asnjë arsye dhe pa kurrfarë kuptimi, ka shfaqur një zhgënjim për punëtoret e ATK-së, transmeton kosovapress.

“Ne jemi të gatshëm për të gjitha mediat, që janë të interesuar për vërtetësinë e këtyre fakteve, mund të japim dëshminë e pagave tona para dhe pas “deklarimeve qeveritare për rritjen e pagave”, dhe të dëshmohet se nuk ka rritje siç pretendohet”, thuhet në njoftim.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka shkruar dje se nga ky muaj e tutje shërbyesit publikë që punojnë në organizata buxhetore do të marrin pagën me rritje prej 55 euro shtesë.

“Rritja e këtij muaji e kompleton rritjen e paraparë sivjet prej 110 eurove për secilin punonjës, e cila zbatohet në dy faza nga 55 euro – faza e parë nga janari 2025 dhe faza e dytë nga korriku 2025”, ka shkruar Murati.

Sipas tij, kjo njëkohësisht përbën rritjen e 4-t të pagave në sektorin publik prejse kemi marrë mandatin, gjë që na bën Qeverinë e vetme që ka rritur pagat 4 herë brenda mandatit.