“Edhe në tragjedi mundoheni me bo lajm”, “në kufoma shikoni me përfitu” – Qytetarët e “gozhdojnë” VV-në në komente
Një tragjedi që ka prekur opinionin publik në Kosovë – zhdukja e një 33-vjeçari në liqenin e Ujmanit – po shoqërohet me kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila akuzohet se po përdor këtë ngjarje për propagandë politike. Pas publikimit të një postimi nga LVV në rrjetet sociale, ku theksohej roli i Forcës…

Lajme
Një tragjedi që ka prekur opinionin publik në Kosovë – zhdukja e një 33-vjeçari në liqenin e Ujmanit – po shoqërohet me kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila akuzohet se po përdor këtë ngjarje për propagandë politike.
Pas publikimit të një postimi nga LVV në rrjetet sociale, ku theksohej roli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në operacionin e kërkimit në veri të vendit, dhjetëra qytetarë reaguan me komente të ashpra, duke e cilësuar postimin si përpjekje për të marrë poena politikë nga një situatë tragjike.
“Edhe në tragjedi mundoheni me bo lajm. Turp për juve VV,” – shkruan një komentues në postim, transmeton lajmi.net
“FSK ka qenë edhe më herët në veri, me shoqërimin e KFOR-it. Kjo është marrëveshje me NATO-n dhe nuk ka lidhje me ndonjë akt heroik të qeverisë,” – thuhet në një tjetër koment që ka marrë shumë pëlqime.
Qytetarët kanë përmendur edhe raste të mëparshme tragjike, duke përmendur emra si Mon Balaj dhe Astrit Dehari, dhe kanë akuzuar LVV-në për manipulim emocional dhe instrumentalizim të fatkeqësive për kapital politik.
Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, FSK mund të lëvizë në veri të vendit vetëm me aprovimin dhe shoqërimin e KFOR-it. Ky parim është respektuar edhe në rastin aktual, çka bën që theksimi i pranisë së FSK-së nga ana e partisë në pushtet të shihet si tentativë për të krijuar një narrativë politike nga një operacion me natyrë tërësisht humanitare.
“Mos e bëni mizën bull për të dhënë material armikut. Kjo është çështje humanitare, jo politike. Turpi ju mbuloft,” – shkruan një tjetër komentues.
Përkundër ndjeshmërisë së situatës, deri më tani nuk ka pasur reagim nga zyrtarë të Vetëvendosjes lidhur me kritikat publike. Ndërkohë, operacioni i kërkimit vazhdon me përfshirjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës, FSK-së dhe KFOR-it./lajmi.net/