Kryeprokurori Isufaj: Radoiçiqi kërkoi heqjen e urdhër-arrestit në këmbim të informatave për Ivanoviqin

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një intervistë për emisionin “KallxoPërnime” ka zbuluar detaje të reja rreth heqjes së urdhër-arrestit ndaj Milan Radojiçiqit në vitin 2021. Sipas kryeprokurorit, avokati kishte deklaruar se klienti i tij po tregonte sinjale bashkëpunimi dhe ishte i gatshëm të ofronte informacion për vrasjen e Ivanoviqit, nëse urdhër-arresti ndaj tij do të…

Lajme

27/07/2025 22:04

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një intervistë për emisionin “KallxoPërnime” ka zbuluar detaje të reja rreth heqjes së urdhër-arrestit ndaj Milan Radojiçiqit në vitin 2021.

Sipas kryeprokurorit, avokati kishte deklaruar se klienti i tij po tregonte sinjale bashkëpunimi dhe ishte i gatshëm të ofronte informacion për vrasjen e Ivanoviqit, nëse urdhër-arresti ndaj tij do të tërhiqej.

Në atë periudhë, Isufaj tha se nuk kishte shumë informacion për Radojiçiqin dhe se nuk pranoi ofertën.

“Nuk është se unë s’kam dashur ta pranoj një ofertë të tillë, nuk është se unë nuk kam dashur të siguroj informacionet që pretendohej se ishin shumë relevante për çështjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit sepse urdhër-arresti ka të bëjë për vrasjen e Ivanoviqit. Nuk u pajtova me prokurorin dhe i thashë vazhdo me procesin kështu si je” – deklaroi Isufaj në KallxoPërnime.

Isufaj shtoi se prokurori i çështjes, Burim Qerkini, kishte vazhduar të insistonte me një plan hetimi për të siguruar informacionin, strategji e mbështetur nga ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ky i fundit gjithashtu e kishte mbështetur tërheqjen e urdhër-arrestit, me shpresën se kjo do të çonte në informacione të reja për vrasjen e Ivanoviqit.

“Prokurori i çështjes insistoi dhe mua ma solli një plan hetimi, një strategji për mënyrën se si ai mendon marrjen e atij informacioni. Për të gjitha këto biseda, i informuar dhe në takime ka qenë ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi. Meqenëse prokurori – e thashë edhe më herët – është i pavarur në mënyrën se si e trajton një rast, se si e siguron një provë, se si e prezanton provën para gjykatës, unë nuk mujta me u ba pengesë me thanë nuk bën në asnjë mënyrë sepse e kisha një instancë më të lartë aty” – tha ai.

“Po, ishte pro kësaj dhe unë i besova sinqeritetit të prokurorit. Isha i bindur dhe jam edhe sot se qëllimi i prokurorit të çështjes nuk ka qenë që të amnistohet Radoiçiqi, përkundrazi qëllimi ka qenë që ai të vihet këtu edhe të ballafaqohet me drejtësinë. Imagjinoje, Kreshnik, sikur ai të vinte në Prokurorinë Speciale, ose e kish dhënë informacionin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit ose do të arrestohej sepse e ka pasur statusin e personit të pandehur” – shtoi Isufaj.

Isufaj gjithashtu garantoi se Prokuroria Speciale vazhdon hetimet ndaj Radojiçiqit dhe ka katër urdhër-arreste aktive kundër tij për vrasjen e Ivanoviqit, rastin e Banjskës, barrikadat dhe krime të luftës.

“Po e përsëris, ne Radojiçiqin jemi duke e hetu në shumë pista të hetimit. Po e hetojmë edhe për mundësinë e bashkëpunimit me persona të tjerë në Kosovë. Përndryshe, Prokuroria Speciale i ka katër urdhër-arreste të lëshuara për Radoiçiqin: për rastin e Oliver Ivanoviqit, për rastin Banjska, për rastin e barrikadave dhe për krime të luftës. Atë që ma tha prokurori i çështjes, u betu se nëse nuk arrin me sjellë Radoiçiqin këtu, urdhër-arresti ndaj tij do të kthehet – dhe kjo ndodhi” – përfundoi Isufaj.