Petrit Hajdari i del “përpara” Ramiz Lladrovcit, votohet nga kryesia e PDK-së për të garuar për kandidat për kryetar të Drenasit
Me votë dërmuese në favor të tij, Petrit Hajdari është kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale të tetorit. Burime të gazetës ‘Nacionale’ tregojnë se peshorja mes Ramiz Lladrovcit dhe Petrit Hajdarit ka anuar fort në anën e këtij të fundit në mbledhjen e Kryesisë së Partisë…

Lajme
Me votë dërmuese në favor të tij, Petrit Hajdari është kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale të tetorit.
Burime të gazetës ‘Nacionale’ tregojnë se peshorja mes Ramiz Lladrovcit dhe Petrit Hajdarit ka anuar fort në anën e këtij të fundit në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.
Në këtë mbledhje u vendos përfundimisht se Lladrovci s’do të ketë vulën zyrtare të PDK-së për të kandiduar për kryetar të Komunës së Drenasit, por rivali i tij Petrit Hajdari.
26 vota në mbështetje dërrmuese kanë qenë në favor të Petrit Hajdarit, ndërsa vetëm 4 për Ramiz Lladrovcin. Një votë ka rezultuat e pavlefshme.
Ramiz Lladrovci qe disa muaj me radhë ka pasur tone të mprehta dhe konfrontuese se nuk do të lejojë kandidaturë tjetër nga Partia Demokratike e Kosovës për të garuar në Drenas, përpos vetes.
“Nuk ka bir nane që më largon nga PDK-ja”, është një lajtmotiv që Lladrovci e ka përsëritur disa herë në një seri paraqitjesh televizive.
Lladrovci dje në një reagim në faqen e vet, pati thirrje ndaj Kryesisë së PDK-së që të reflektojnë dhe të miratojnë kandidaturën e vet.
Kryetari i Drenasit madje e quajti “të papritshme” që në rend të parë emri i tij të vendosej “në garë” për t’u shqyrtuar nga Kryesia.
“Vendosja e emrit tim në garë, për tu zgjedhur nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së, pa marrë parasysh sukseset e komunës dhe punës së shkëlqyer të degës, nuk ishte e pritshme për qytetarët e bastionit të PDK”, shkroi ai,
“Anëtarët e Kryesisë pres të mos jenë të ndikuar nga keqbërësit. Mospjesëmarrja në votim për kandidatin për degën e Drenasit do të ishte argument se janë kundër bedelëve. Asnjë anëtarë të Kryesisë nuk e kam kontaktuar rreth votimit, sepse, pres të mos jenë pjesë e padrejtësisë”.
Për më tepër, Lladrovci i kujtoi Kryesisë së PDK-së që në rast të zgjedhjes së kandidatit tjetër, duhet të kihen parasisheh implikimet që pasojnë.
“Mos e shkelni unitetin qytetarë, të simpatizantëve dhe të anëtarësisë së degës të PDK në Drenas, pra, anëtarë të Kryesisë, mos u bëni pjesë e padrejtësisë. Nëse vendosni për kandidatin, duhet t’i keni parasysh edhe vendimet që duhet të pasojnë, si riemërimi apo emërimi i Ushtruesit të detyrës së Kryetarit të Degës, emërimi i Kryesisë së Degës deri në zgjedhjet e brendshme, të emëroni shefin e shtabit zgjedhor për zgjedhjet e 12 Tetorit, etj.
Qytetarët e komunës së Drenasit nuk e meritojnë këtë trajtim, nuk meritojnë qeverisje të bedelëve të vitit 2021 dhe 2025, të cilët tash janë sërish bashkë. Unë nuk zmbrapsem, me qytetarët do t’ua tregoj vendin dhe askush nuk mund të më largojë nga PDK!”, shkroi ai.