Sot përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit – a do t’i japin fund bllokadës deputetët?
Deputetët e Kuvendit kanë dështuar sërish ta konstituojnë legjislaturën e re edhe të premten. Mundësia e fundit do të jetë sot, kur përfundon edhe afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përmbylljen e këtij procesi. Në seancën e djeshme, të pranishëm ishin diplomatë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, të cilët bënë thirrje për…

Lajme
Deputetët e Kuvendit kanë dështuar sërish ta konstituojnë legjislaturën e re edhe të premten. Mundësia e fundit do të jetë sot, kur përfundon edhe afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përmbylljen e këtij procesi.
Në seancën e djeshme, të pranishëm ishin diplomatë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, të cilët bënë thirrje për konstituim të menjëhershëm të Kuvendit dhe kritikuan deputetët se me veprimet bllokuese po e zhgënjejnë popullin e Kosovës.
Megjithatë, prezenca e tyre, e paralajmëruar qysh nga e enjtja, nuk ndikoi që deputetët ta përmbyllnin me sukses seancën. Në vazhdimin e 52-të, prania e korit diplomatik e zbuti zhurmën e zakonshme të sallës, por nuk ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve.
Në fillim të seancës, kryesuesi Avni Dehari u kërkoi sërish Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike (LDK), Listës Serbe dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të propozojnë anëtarë për Komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin. Por përfaqësuesit e këtyre partive kërkuan kthim në rendin e ditës të dakorduar më 8 prill.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, i tha kryesuesit: “Dje e pamë edhe një vendim të ri, një masë të re nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Na kanë mbetur edhe më pak se 48 orë. I nderuar kryesues, propozimi ynë është i qartë, kthejuni rendit të ditës të dakorduar mes kryetarit Konjufca dhe liderëve të partive politike. Mos e shkelni Kushtetutën.”.
Kërkesë të ngjashme bëri edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami: “LDK-ja ka kërkesë, jo propozim, i nderuar kryesues, kthehuni në rend të ditës, na e jepni mundësinë të votojmë.”.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, shprehu shqetësim: “Aleanca ju kërkon t’i ktheheni rendit të ditës, respektojeni Kushtetutën dhe konstituojeni Kuvendin, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetueses. Përndryshe po bëni shkelje ligjore. Jeni duke e shkelur Kushtetutën.”.
Megjithatë, përbërja e Komisionit u hodh në votim, por mori vetëm 54 vota pro.
Duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili u publikua të enjten dhe parashikon pezullimin e seancës nga 27 korriku deri më 8 gusht, kryesuesi Dehari tha se përpjekja e fundit për konstituim do të bëhet të shtunën: “Duke e pasur parasysh që kjo masë hyn në fuqi ditën e diel, po ashtu që afati prej 30 ditësh për konstituim i vendosur nga Gjykata Kushtetuese përfundon nesër, atëherë, si kryesues i seancës konstituive dhe si përpjekje për konstituimin e Kuvendit, seancën e radhës do ta mbajmë nesër.”.
Vazhdimi i 53-të i seancës do të organizohet nga ora 14:00.