Thaçi: Rikthimi i Trump është një mundësi e artë për Kosovën dhe Ballkanin
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend dhe sfidat në arenën ndërkombëtare, duke vlerësuar se pesë vitet e fundit kanë qenë një periudhë stagnimi për shtetin e Kosovës në planin ndërkombëtar. Thaçi tha se është shqetësuese mungesa e njohjeve…

Lajme
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend dhe sfidat në arenën ndërkombëtare, duke vlerësuar se pesë vitet e fundit kanë qenë një periudhë stagnimi për shtetin e Kosovës në planin ndërkombëtar.
Thaçi tha se është shqetësuese mungesa e njohjeve të reja dhe dështimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, veçanërisht gjatë administratës aktuale të presidentit amerikan Joe Biden, transmeton lajmi.net
“Është shqetësuese, vetëm dy njohje dhe asnjë anëtarësim i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në gati pesë vitet e fundit. Koha e administratës së presidentit Biden shënon kohë dhe mundësi të humbur për Kosovën”, tha Thaçi.
Ai e sheh rikthimin e Donald Trump si president të SHBA-së si një mundësi të rëndësishme për Kosovën dhe rajonin.
“Rikthimi i Presidentit Trump paraqet mundësi të re të artë për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Trump është i përcaktuar qartë për paqe dhe bashkëpunim mes popujve”.
Thaçi përmendi gjithashtu se një nga njohjet më të rëndësishme për Kosovën – ajo nga Izraeli – erdhi si rezultat i angazhimit të drejtpërdrejtë të ish-presidentit Trump dhe të dërguarit të tij, Richard Grenell.
“Të rikujtojmë, njohja e parafundit Kosovës i erdhi nga Izraeli, me punën dhe angazhimin e drejtpërdrejt të Presidentit Trump dhe Ambasadorit Grenell”, theksoi Thaçi./lajmi.net/