Vrasje në tentativë e vepra të tjera penale – Dy të mitur në burgun e Lipjanit rrëfejnë mes emocionesh vështirësitë e arsyet pse janë aty

Ëndrrat e fëmijërisë për të ardhmen, qëllimet për tu arritur e gjithçka tjetër, iu është ndërprerë dy të miturve të cilët tashmë gjenden në burgun e Lipjanit për të mitur. Ata kanë rrëfyer për lajmi.net arsyen pse ndodhen aty e atë se çka kanë kuptuar pas reflektimit që kanë bërë brenda katër mureve. “Fëmijërinë e…

Lajme

22/07/2025 21:25

Ëndrrat e fëmijërisë për të ardhmen, qëllimet për tu arritur e gjithçka tjetër, iu është ndërprerë dy të miturve të cilët tashmë gjenden në burgun e Lipjanit për të mitur.

Ata kanë rrëfyer për lajmi.net arsyen pse ndodhen aty e atë se çka kanë kuptuar pas reflektimit që kanë bërë brenda katër mureve.

“Fëmijërinë e kam pas shumë të mirë, kam pas përkrahje prej babit, krejt të mirat i kam pas, nuk më ka mungu asgjë. Jam distancu vetë prej shoqërisë teme se nuk i kam pas qef goditjet me dorë e prekjet, e pastaj jam ndier i bullizuar. Kam dasht me u marr me ndonjë sport luftarak po babi nuk ka pas qejf shkaku i lëndimeve”, ka rrëfyer ai.

Ai ka treguar edhe arsyen pse ndodhet në burg.

“Nuk është rast i rëndë as i lehtë, kam pas një përleshje me disa persona. Kam qenë i akuzuar pafajësisht për ‘vrasje të rëndë në tentativë’ e ‘armëmbajtje pa leje’ mirëpo ka qenë ajo periudha që kanë mungu faktet e të tjera. Më kanë mbet edhe 9 muaj. Jeta në burg muajin e parë ka qenë e vështirë deri të adaptohesh e t’i njeh njerëzit, dhe derisa e ke gjet njeriun e grupin tënd që të përshtatet”, ka treguar ai.

Ai ka thënë se pasi të fitoj lirinë, ai synon të vazhdoj studimet e më pas të gjej një punë për prindërit e tij.

Një i ri tjetër i cili gjithashtu ndodhet në burgun e Lipjanit për të mitur, ka rrëfyer se para se të jetë në burg, ishte përzgjedhur nga kombëtarja e Kosovës e Futbollit.

Ai ka treguar se në burg ndodhet për dy vepra penale, ‘posedim i pakontrolluar i armëve’ dhe ‘tentim vrasje’.

“Rasti ka ndodh afër restorantit tim, ku gjatë një përleshje unë e kam marrë armën në shtëpi dhe kam shtënë diku 2-3 herë ku njëri plumb e ka godit automjetin në 90 metra vijë ajrore, dhe më është llogari vepra si ‘tentim vrasje’. Ky rast më ka dhënë një ndryshim të madh në jetën time, sepse kam qenë shumë i mirë edhe në shkollë edhe në futboll. Por, pas këtij rasti i kam pas gjashtë muaj arrest shtëpiak dhe s’kam pas mundësi me shku në shkollë, e më pas as në futboll”, ka thënë ai. /Lajmi.net/

Video: