“Kur të mbyllet dera e burgut, hapen sytë” – Rrëfimi i një të riu që u dënua për një gabim adoleshence
Një djalë i ri, vetëm 19 vjeç, ndodhet sot në vuajtje të dënimit pas një përleshjeje të dhunshme që përfundoi me tentim vrasje. Ai në emisionin ‘Prapa Grilave’ me Liridon Llozani e nis rrëfimin jetën si një nxënës i mirë, me sjellje shembullore dhe pa asnjë problem me ligjin, por një gabim i vetëm në moshën 15-vjeçare…

Lajme
Një djalë i ri, vetëm 19 vjeç, ndodhet sot në vuajtje të dënimit pas një përleshjeje të dhunshme që përfundoi me tentim vrasje.
Ai në emisionin ‘Prapa Grilave’ me Liridon Llozani e nis rrëfimin jetën si një nxënës i mirë, me sjellje shembullore dhe pa asnjë problem me ligjin, por një gabim i vetëm në moshën 15-vjeçare i ndryshoi përfundimisht drejtimin.
Ngjarja e ndodhur para rreth katër vitesh nisi si një konflikt mes grupeve të të rinjve, në të cilin ai u përfshi për të mbrojtur një shok.
Ajo që filloi si një kacafytje, përfundoi në një incident me armë të ftohtë dhe dënimin e tij me një vit burgim për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Megjithëse ai pohon se nuk e ka kryer therjen dhe se nuk është gjetur asnjë provë konkrete që e lidh drejtpërdrejt me aktin, vendimi gjyqësor nuk mundi ta shmangte.
Për të, gjithë kjo ka qenë një goditje e rëndë. Jo vetëm për shkak të privimit nga liria, por më shumë për peshën emocionale që ka shkaktuar ndaj familjes së tij. Ai kujton me dhimbje momentin kur i telefonoi prindërve për herë të parë nga burgu, ndërsa zëri i dridhej dhe nuk mund të fliste.
“Vetëm i kam lënë të flasin”, rrëfen ai, “unë nuk kisha fuqi as për të hapur gojën”, rrëfen ai.
Një pjesë e madhe e reflektimit të tij lidhet me ndikimin e shoqërisë dhe zgjedhjet që ka bërë. Megjithëse nuk kishte përdorur substanca narkotike apo alkool, ishte rrethuar nga njerëz që e kishin bërë këtë një mënyrë jetese. Ai pohon se familja e kishte paralajmëruar shpesh për rrezikun që vjen nga këto shoqëri, por ai nuk i kishte dëgjuar.
Sot, nga qelia, ai thotë:
“Atëherë nuk e kuptoja, por tani e di se çfarë kanë parë prindërit që unë nuk e pashë”, shprehet ai.
Pendesa është një fjalë që e përsërit shpesh gjatë rrëfimit të tij. Jo vetëm për aktin konkret, por për distancimin nga vlerat, për shpërfilljen e këshillave, për braktisjen e rrugës që dikur e kishte dalluar si një nxënës i mirë dhe fëmijë i bindur. Ai e pranon me sinqeritet:
“Isha rrugës, edhe nxënës i mirë, edhe i rrugës – por ajo e rrugës më tërheq më shumë”, rrëfen ai.
Me ironi dhe vetëdije, ai e përshkruan qëndrimin në burg si një “gjysmë fakulteti”, një vend ku mëson shumë – për veten, për njerëzit dhe për jetën. Në këto muaj izolimi, ka nisur të kuptojë rëndësinë e vetëkontrollit, të qetësisë dhe të reflektimit.
“Tash jam shumë më i qetë”, thotë ai, “në liri nuk e kontrolloja nervozën, këtu po mësoj ta bëj”, thotë ai.
Por një nga zhgënjimet më të mëdha që ai përmend është mungesa e atyre që dikur i kishte quajtur “shokë të ngushtë”. Ai thotë se askush prej tyre nuk e ka vizituar, madje as shoku për të cilin hyri në përleshje.
“Vetëm nëna e babai po kujdesen për mua. Të tjerëve nuk i intereson. Ndoshta as nuk e dinë që jam këtu”, thotë me dhimbje.
Në fund të bisedës, ai nuk kërkon as justifikim, as mëshirë. Ai merr përgjegjësinë mbi vete.
“Fajtor jam vetëm unë”, thotë.
“Nuk mund ta fajësosh as situatën, as shoqërinë. Fajtor është vetvetja dhe mënyra se si reagon ti”, shprehet ai.
Kjo histori është një kujtesë e fortë për rrezikun që fshihet në vendimet e shpejta dhe shoqëritë e gabuara.
Është një thirrje për prindërit të qëndrojnë të përfshirë në jetën e fëmijëve të tyre dhe për të rinjtë që të vlerësojnë atë që kanë – familjen, shkollën, lirinë – para se të jetë vonë. Sepse, siç thotë ai vetë, “kur të mbyllet dera e burgut, hapen sytë e mendjes”, por atëherë është shumë vonë, raporton RTVDukagjini.