Hungaria dhe Serbia bisedojnë me Rusinë për ndërtimin e një naftësjellës
Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, ka zhvilluar një takim më 21 korrik me zëvendësministrin rus të Energjisë, Pavel Sorokin, dhe ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijjarto, për të diskutuar rreth realizimit të projektit për ndërtimin e një naftësjellësi ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë. Pas takimit, Gjedoviq…

Bota
Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, ka zhvilluar një takim më 21 korrik me zëvendësministrin rus të Energjisë, Pavel Sorokin, dhe ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijjarto, për të diskutuar rreth realizimit të projektit për ndërtimin e një naftësjellësi ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.
Pas takimit, Gjedoviq Handanoviq deklaroi se ekziston mbështetje nga qeveritë e Serbisë, Hungarisë dhe Rusisë për këtë projekt, i cili, sipas saj, do t’i mundësonte Serbisë një burim shtesë për furnizim me naftë të papërpunuar gjatë dekadave të ardhshme, bëri të ditur Ministria serbe e Minierave dhe Energjisë.
“Ndërtimi i këtij naftësjellësi do t’i japë Serbisë mundësinë të sigurojë furnizim me naftë të papërpunuar përmes Hungarisë, duke forcuar më tej sigurinë energjetike të vendit. Diversifikimi i burimeve të furnizimit është i rëndësishëm për të qenë më të sigurt dhe më pak të varur nga një burim i vetëm, veçanërisht në kontekstin gjithnjë e më të paqëndrueshëm gjeopolitik”, tha ajo.
Ajo shtoi se përmes këtij naftësjellësi, Serbia do të lidhej për herë të parë me një nga naftësjellësit më të mëdhenj në Evropë dhe do të siguronte një burim alternativ furnizimi.
Ndërkaq, sipas Szijjartos, naftësjellësi midis dy vendeve mund të ketë një kapacitet vjetor transporti deri në pesë milionë tonë.
“Nevojitet ndërtimi i një naftësjellësi të ri 180 kilometra të gjatë në territorin e Hungarisë dhe, nëse gjithçka shkon sipas planit, ky naftësjellës i ri mund të hyjë në funksion deri në vitin 2027”, tha shefi i diplomacisë hungareze.
Serbia dhe Hungaria kishin rënë dakord për ndërtimin e këtij naftësjellësi në tetor të vitit 2022, i cili do t’i mundësonte Serbisë të furnizohej me naftë më të lirë nga Urali përmes lidhjes me naftësjellësin rus Druzhba (“Miqësia”).
Autoritetet në Beograd morën këtë vendim pasi Kroacia ndaloi transportin e naftës ruse në fund të vitit 2022, në përputhje me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Pavarësisht kundërshtimeve të Bashkimit Evropian, të dyja vendet — Serbia dhe Hungaria — vazhdojnë të ruajnë lidhje të ngushta me Rusinë.
Gjedoviq Handanoviq tha se dokumentacioni projektues dhe teknik në Serbi do të jetë gati për fillimin e punimeve në fillim të vitit të ardhshëm, 2026.
Më herët ishte paralajmëruar se punimet për ndërtimin e naftësjellësit Serbi–Hungari do të mund të fillonin deri në fund të këtij viti.
Ajo gjithashtu theksoi se në periudhën në vijim pritet të përcaktohet aspekti komercial i projektit, si dhe kapacitetet e naftës që i nevojiten Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).
Kompania NIS është vendosur që nga janari në listën e sanksioneve të SHBA-së për shkak të ashtuquajturit “rrezik dytësor”, që lidhet me pronësinë e saj nga kompania ruse Gazprom Neft, e cila është nën sanksionet perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara kanë shtyrë katër herë zbatimin e plotë të sanksioneve ndaj NIS-it, të cilat janë paralajmëruar për shkak të pjesëmarrjes ruse në pronësi.
Më 18 korrik, NIS njoftoi se i ka dorëzuar një kërkesë të re Departamentit të Thesarit të SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të plotë të sanksioneve, dhe për të mundësuar vazhdimin e operacioneve të kompanisë.
Sipas faqes zyrtare të NIS-it, më 14 mars kompania i ka dërguar gjithashtu një kërkesë Departamentit të Thesarit të SHBA-së për heqjen nga lista e sanksioneve (Specially Designated Nationals), duke e përshkruar si një “proces kompleks”.
NIS është kompania e vetme në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës, si dhe me prodhimin e gazit natyror. Ajo ka mbi 13.000 punonjës.
Ndërkohë, Gazprom Neft ka transferuar rreth pesë për qind të aksioneve të saj tek kompania ruse Gazprom, e cila nuk është e përfshirë në sanksionet perëndimore. Si rezultat, pjesëmarrja e Gazprom Neft në NIS ka rënë nën 50 për qind (44,85%).
Megjithatë, edhe me këtë ndryshim në strukturën e pronësisë, kompanitë ruse vazhdojnë të kenë shumicën e aksioneve në NIS. REL