Kurti thotë se Limajt i bëri ofertë për të bashkëqeverisur, nuk jep detaje në lidhje me të
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar sot në një konferencë për media në lidhje me takimin që e ka mbajtur me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajt të shtunën në lagjen Pejton të Prishtinës. Ai ka thënë se në këtë takim, i ka ofruar Nismës që të bashkëqeverisin. “Me kryetarin e Nismës, Fatmir…

Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar sot në një konferencë për media në lidhje me takimin që e ka mbajtur me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajt të shtunën në lagjen Pejton të Prishtinës.
Ai ka thënë se në këtë takim, i ka ofruar Nismës që të bashkëqeverisin.
“Me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj kemi zhvilluar një takim pardje, me ç’rast kemi biseduar për zhvillimet politike në Kosovë. LVV, unë si kryeministër në detyrë, si kryetar i subjektit që ka fituar zgjedhjet, kemi shprehur tashmë gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën socialdemokrate, dhe kam bërë një ofertë për ta që gjithçka të mbyllet sa më shpejtë e sa më mirë dhe ta kemi konstituimin e Kuvendit e gjithashtu edhe Qeverinë e re. Mirëpo kur këto bisedime të përmbyllen me rezultatin final, atëherë do të mund të flasim për hollësitë e përmbajtes së saj”, ka thënë Kurti.
Ai nuk ka dhënë detaje shtesë në lidhje me këtë ofertë, por ka thënë se është për keqardhje që konstituimi i Kuvendit të Kosovës po voton që nga data 19 prill kur edhe është bërë betimi i deputetëve.
“Nesër bëhen 4 vjet e 4 muaj që unë jam zgjedhur kryeministër i Kosovës, as juve as mua nuk na ka marrë mendja që do të jem kaq gjatë. Unë ndodhem në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë, kjo ka ndodhur për shkak se nuk ka konstituim të Kuvendit. Deputetët nuk e kanë shtëpinë e tyre e cila është e domosdoshme për të konstituuar Kuvendin e Kosovës të cilës i jep llogari Qeveria e ardhshme. Ne i kemi fituar zgjedhjet, LVV ka 48 deputetë, PDK dhe LDK bashkë nuk bëjnë 48 deputetë. Për konstituim të Kuvendit duhet të merremi vesh të gjithë”, ka thënë Kurti. /Lajmi.net/