“Absurd”, “Keqinterpretim i Kushtetutës” – Murati vazhdon me sulme ndaj Supremes, s’po e pranon faktin që mori vendime të jashtëligjshme

Ministri në dorëheqje i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar përsëri në mënyrë të ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Supreme që shpalli të jashtëligjshëm udhëzimin administrativ për pajisjet fiskale. Përmes një postimi në Facebook, ai e ka quajtur vendimin “absurd” dhe ka akuzuar gjyqtarët për “keqinterpretim të Kushtetutës”. Murati ka deklaruar:“Ky interpretim i tre gjykatësve të…

Lajme

18/07/2025 13:49

Ministri në dorëheqje i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar përsëri në mënyrë të ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Supreme që shpalli të jashtëligjshëm udhëzimin administrativ për pajisjet fiskale. Përmes një postimi në Facebook, ai e ka quajtur vendimin “absurd” dhe ka akuzuar gjyqtarët për “keqinterpretim të Kushtetutës”.

Murati ka deklaruar:“Ky interpretim i tre gjykatësve të Supremes është në kundërshtim flagrant me atë që ka thënë vetë Gjykata Kushtetuese.”

Ai gjithashtu ka komentuar: “Në vend se të lexonin statuset në Facebook të deputetëve të opozitës, do të mjaftonte që tre gjykatësit e Supremes të lexonin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese… për të mos bërë vendime absurde.”

Kritikët tërheqin vëmendjen se hezitimi i Muratit për të pranuar shkeljet ligjore dhe për t’u bindur prapa vendimeve të institucioneve pasqyron një qëndrim që minon autoritetin e Gjykatës Supreme, transmeton lajmi.net

Për më tepër, ai vazhdon të përdorë platformën e tij për të delegjitimuar organin më të lartë gjyqësor të vendit.

Postimi i plotë: 

📍Sipas Aktgjykimit KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese, <deputeti llogaritet që fillon të ushtrojë funksionin tek pasi të ketë përfunduar konstituimi i Kuvendit>. (Shih paragrafin 138 të Aktgjykimit, foto më poshtë)
Pra, meqenëse seanca konstituive ende s’ka përfunduar, sipas pikës 1 të Konstatimit në Aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese, deputetët ende nuk janë m’veshur me funksion, dhe rrjedhimisht as nuk kanë mundësi të ushtrojnë funksionin. E pa e ushtruar funksionin, s’mund të ketë as konflikt funksional apo papajtueshmëri sipas Nenit 72 të Kushtetutës.
📍Kurse paradoksalisht, në vendimin e fundit kundër digjitalizimit të arkave fiskale, tre gjykatësit e Gjykatës Supreme janë lëshuar në interpretime të Kushtetutës, duke thënë se funksioni i deputetit ushtrohet që nga <dita kur çertifikohen rezultatet e zgjedhjeve>, dhe kësisoj kanë argumentuar që ka pasur konflikt funksional (megjithëse ata gabimisht e përdorin shprehjen “konflikt interesi” ngjashëm si disa deputetë të opozitës).
Ky interpretim i këtyre tre gjykatësve është në kundërshtim flagrant me atë çfarë ka thënë vetë Gjykata Kushtetuese disa javë më herët.
Në vend se të lexonin statuset në Facebook të deputetëve të opozitës, do të mjaftonte që tre gjykatësit e Supremes të lexonin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, që të mos bëheshin horë kaq publikisht me vendime absurde si ky për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për Arkat Digjitale Fiskale./lajmi.net/