Kryeministri i Francës synon t’i heqë dy festa zyrtare për t’i kursyer para shtetit

Kryeministri i Francës, Francois Bayrou, të martën e propozoi heqjen e dy festave nga kalendari i festave zyrtare – me gjasë të Hënën e Pashkëve dhe një ditë kur shënohet fitorja e aleatëve kundër nazistëve – për të kursyer para në buxhetin e vitit të ardhshëm. Ky propozim është në mesin e disa ideve për…

Bota

16/07/2025 12:15

Kryeministri i Francës, Francois Bayrou, të martën e propozoi heqjen e dy festave nga kalendari i festave zyrtare – me gjasë të Hënën e Pashkëve dhe një ditë kur shënohet fitorja e aleatëve kundër nazistëve – për të kursyer para në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Ky propozim është në mesin e disa ideve për zvogëlim të shpenzimeve të paraqitura nga kryeministri në një plan të gjerë të buxhetit. Ai ka argumentuar se heqja e dy festave zyrtare nga kalendari do të sillte të hyra nga taksat prej aktivitetit ekonomik, duke kontribuuar në rreth 44 miliardë euro kursime të përgjithshme, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka ngarkuar kryeministrin me detyrën e hartimit të një buxheti që përfshin ulje të kostove për t’i zvogëluar borxhin dhe deficitin e madh të vendit – ndërkohë duke shtuar miliarda euro në shpenzime të reja të mbrojtjes për t’u ballafaquar me ato që Macroni thotë se janë kërcënime që po rishfaqen nga Rusia e përtej saj.

Kryeministri Bayrou e vuri në pikëpyetje rëndësinë fetare të së Hënës së Pashkëve, ndërsa Dita e Fitores, që shënohet më 8 maj, ndodhet në muajin kur punëtorët e kanë pushim edhe në dy ditë të tjera.

Bayrou tha se propozimi i tij për heqjen e këtyre dy festave zyrtare ishte vetëm sugjerim dhe se ishte i hapur për ide të tjera. Franca tani për tani ka 11 festa zyrtare brenda një viti.