Altin Krasniqi pas vendimit të Speciales: Që nga fillimi e kemi parë që vendimet nuk kanë qenë në favor të krerëve të UÇK-së, gjë që është shqetësuese

Gjykata Speciale e ka rrëzuar mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të rrëzuar pjesë të caktuara në aktakuzën ndaj tyre për krime të pretenduara të luftës. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se nuk kishte “bazë ligjore” për ta rrëzuar ndonjë prej pjesëve të aktakuzës, transmeton…

Lajme

16/07/2025 10:41

Gjykata Speciale e ka rrëzuar mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të rrëzuar pjesë të caktuara në aktakuzën ndaj tyre për krime të pretenduara të luftës.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se nuk kishte “bazë ligjore” për ta rrëzuar ndonjë prej pjesëve të aktakuzës, transmeton lajmi.net

Smith tha se trupi gjykues “nuk është bindur që ka autoritet për të rrëzuar pjesë të akuzave”.

Në lidhje me këtë vendim, lajmi.net ka kontaktuar djalin e Jakup Krasniqit, deputetin e PDK-së, Altin Krasniqi për të marr një opinion mbi këtë vendim.

Ai tha se është shqetësuese se si nga fillimi i gjykimit, vendimet e Speciales s’kanë qenë në favor të krerëve të UÇK-së.

“Që nga fillimi i gjykimit, kemi parë që vendimet e Gjykatës Speciale nuk kanë qenë në favor të krerëve të UÇK-së, gjë që është shqetësuese. Megjithatë, ne besojmë në drejtësi dhe presim që vendimet të jenë të drejta, të paanshme dhe të mbështetura në fakte, jo të diktuara nga motive politike. Drejtësia e vërtetë është ajo që i shërben të vërtetës dhe paqes, jo narrativave të njëanshme.”, tha Krasniqi.

Janë bërë afro 5 vite që nga koha kur krerët e UÇK-së u morën në paraburgim nga Gjykata Speciale.

Gjykimi i Speciales është përcjellë me kritika të shumta brenda dhe jashtë vendit për shkak të procesit të stërzgjatur dhe shume herë është cilësuar edhe si i padrejtë./lajmi.net/