Polemika për deklaratën e Osmanit: A e ndali Trump një sulm të Serbisë ndaj Kosovës?
Deklarata e presidentes, Vjosa Osmani, se ka informacione të besueshme se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, së fundmi ka parandaluar Serbinë për përshkallëzuar situatën në Kosovë, po shihet me këndvështrime të ndryshme në Kosovë. Përkundër se e para e vendit rikonfirmoi qëndrimet e presidentit Trump, i cili të njëjtën gjë e ka potencuar disa herë…

Lajme
Deklarata e presidentes, Vjosa Osmani, se ka informacione të besueshme se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, së fundmi ka parandaluar Serbinë për përshkallëzuar situatën në Kosovë, po shihet me këndvështrime të ndryshme në Kosovë.
Përkundër se e para e vendit rikonfirmoi qëndrimet e presidentit Trump, i cili të njëjtën gjë e ka potencuar disa herë javët e fundit, përfshirja në debat edhe e Richard Grenell, të dërguarit të Trump për Misione të Veçanta, i cili kritikoi Osmanin për “manipulim të fjalëve të Trump”, ka nxitur njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare të kërkojnë nga e para e vendit të jetë më e matur me deklarimet e saj, veçmas për çështje të sigurisë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre, por pa ofruar hollësi për periudhën kohore.
Presidentja Osmani në një diskutim javën e kaluar në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, tha se presidenti amerikan, Donald Trump, ishte shumë i qartë në deklarimet e tij dhe se edhe ajo ka informacione që ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndalimin e Serbisë për përpjekjet e saj kundër Kosovës.
Deklarimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për parandalimin e Serbisë për përshkallëzim të situatës në Kosovë, i beson njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, i cili thotë se i njëjti ka informacione të dorës së parë dhe mbi to është bazuar edhe presidentja Vjosa Osmani.
Sipas tij, hedhja në mëdyshje e deklarimeve të tilla nga Grenell, zyrtarë serbë, si dhe politikanë kosovarë, nuk është në favor të vendit. Ai nënvizon se Serbia ka mbi tavolinë planin strategjik për të sulmuar Kosovën dhe vetëm pret momentin e duhur, gjë të cilën, sipas tij, e ka potencuar edhe vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Unë jam i prirë t’u besoj deklaratave të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ai nuk e ka përsëritur vetëm një herë, por disa herë kohëve të fundit, se e ka ndaluar një sulm të mundshëm – madje shumë vonë. Pas shkuarjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në SHBA, ajo i rikonfirmoi ato që ka thënë presidenti. Unë jam i prirë t’i besoj, pasi Trump ka informacione të dorës së parë. Sa i përket deklaratës së Grenellit dhe deklaratave të politikanëve serbë dhe atyre në Kosovë, nuk u besoj atyre, pasi jam i prirë t’u besoj deklaratave zyrtare të SHBA-së dhe presidentes Osmani. Ajo vetëm i rikonfirmoi ato që ka thënë presidenti Trump. Nuk duhet të harrojmë një gjë: para tre muajsh, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se presin momentin e volitshëm për të ndërhyrë në Kosovë. Serbia e ka mbi tavolinë planin strategjik për të sulmuar Kosovën dhe vetëm pret që momenti të vijë”, deklaron ai.
Pas deklarimeve të Osmanit në SHBA, asaj i reagoi Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan për Misione të Posaçme, i cili kritikoi presidenten Osmani, që sipas tij, e njëjta po manipulon me fjalët e presidentit Trump.
Në lidhje me këtë qëndrim të Grenell karshi presidentes Osmani, në zyrën e saj kanë paralajmëruar një konferencë për media posa të kthehet e njëjta nga SHBA-ja.
KosovaPress ka kontaktuar të hënën me Zyrën e Presidencës, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.
E deklarimet e Grenell karshi Osmanit, sipas analistes politike, Magbule Shkodra, janë shqetësuese për vendin, pasi po atakohet institucioni më i lartë i vendit. Andaj ajo thekson nevojën që presidentja Osmani të jetë më e matur me deklarimet e saj, veçmas për çështje të sigurisë.
“Presidentja Osmani është dashur të jetë shumë e matur me deklaratat e saj, posaçërisht me një lloj të tillë deklarimi, pasi kishte të bënte me sigurinë e vendit. Deklarimi i saj nga SHBA-ja, duke e pohuar atë që ka thënë presidenti Donald Trump si të saktë për një sulm të mundshëm gjatë kësaj kohe, na ka shqetësuar të gjithëve. Më shqetësuese ishte kur zyrtari i lartë i SHBA-së, zoti Grenell, bëri një postim në X, në të cilin, në mënyrë brutale, i drejtohej një presidenteje të vendit – siç është presidentja Osmani – duke i thënë: ‘Turp për ju që manipuloni me fjalët e presidentit Trump’. Kjo gjithashtu është shqetësuese dhe brengosëse për ne. Ne duhet ta dimë një gjë: politikanët duhet t’i kenë fjalët e tyre të peshuara dhe të mos i thonë ato pa u konfirmuar”, thotë ajo.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kur është pyetur më herët për deklarimet e presidentit Trump se ka ndalur Serbinë për të përshkallëzuar situatën në Kosovë, ka thënë se nuk ka informacione të tilla.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ditë më parë nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e presidentes Osmani, e cila rikonfirmoi deklaratat e Trump.
Deklaratat e Osmanit i ka mohuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 12 korrik, i cili ka thënë se “nuk e kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk e kemi nisur asnjë makineri, as nuk na shkon mendja, ne duam të punojmë, të ndërtojmë”./kp