Prokurorja e Specializuar mirëpret aktgjykimin ndaj Shalës: Përforcon sundimin e ligjit

Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest (Kimberly West) e mirëpriti aktgjykimin e sotëm në gjyqin e apelit ndaj Pjetër Shalës, që la në fuqi dënimet për të gjitha akuzat, por ndryshoi gjatësinë e dënimit të z. Shala, duke e quajtur atë përforcim të sundimit të ligjit. “E mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili përforcon sundimin e…

Lajme

14/07/2025 15:19

Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest (Kimberly West) e mirëpriti aktgjykimin e sotëm në gjyqin e apelit ndaj Pjetër Shalës, që la në fuqi dënimet për të gjitha akuzat, por ndryshoi gjatësinë e dënimit të z. Shala, duke e quajtur atë përforcim të sundimit të ligjit.

“E mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili përforcon sundimin e ligjit dhe kontribuon në arritjen e vënies para përgjegjësisë për krime serioze dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat e z. Shala,” tha znj. Uest në një reagim pas shpalljes së aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara.

“Mbaj shënim ndryshimin e gjatësisë së dënimit të shqiptuar dhe konstatimet e tjera të gjykatës. Zyra ime do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin ditët e ardhshme,” vazhdoi Prokurorja e Specializuar.

Në aktgjykimin e shkallës së parë të 16 korrikut 2024, z. Shala u shpall fajtor për tre akuza për krime lufte – ndalim arbitrar; torturë; dhe vrasje e paligjshme – dhe u dënua me 18 vjet burg.

Sot, Paneli i Gjykatës së Apelit i la në fuqi dënimet për të gjitha akuzat, theksoi natyrën e rëndë të krimeve dhe ndryshoi gjatësinë e dënimit të z. Shala në 13 vjet burg.

Krimet e z. Shala u kryen në periudhën prej rreth 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave – kryesisht shqiptarë të Kosovës – që ishin paraburgosur në Fabrikën e Metalit në Kukës, Shqipëri.

Trupi Gjykues konstatoi në aktgjykimin e shkallës së parë se viktimat e kësaj çështjeje gjyqësore ishin mbajtur në kushte çnjerëzore e degraduese dhe i ishin nënshtruar abuzimit psikologjik e fizik, dhe një nga viktimat u vra.

Z. Shala apeloi kundër aktgjykimit të shkallës së parë dhe seanca dëgjimore e apelit u zhvillua më 15 dhe 16 maj 2025.

 

Z. Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në Njësinë e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.