Qëndrimi i Kinës ndaj Ukrainës alarmon BE-në

Publikisht, Pekini e paraqet veten si palë neutrale në luftën e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Në njërën anë, thotë se respekton integritetin territorial të Ukrainës, e, në anën tjetër, thekson nevojën për të adresuar shqetësimet e Rusisë për sigurinë. Por, prapa skenave, kjo mund të jetë duke ndryshuar. Sipas disa zyrtarëve të Bashkimit…

Bota

14/07/2025 13:21

Publikisht, Pekini e paraqet veten si palë neutrale në luftën e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.

Në njërën anë, thotë se respekton integritetin territorial të Ukrainës, e, në anën tjetër, thekson nevojën për të adresuar shqetësimet e Rusisë për sigurinë.

Por, prapa skenave, kjo mund të jetë duke ndryshuar.

Sipas disa zyrtarëve të Bashkimit Evropian që folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, i tha javën e kaluar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, se Pekini nuk do të mund ta pranonte humbjen e Rusisë në luftë, pasi një gjë e tillë do t’i linte Uashingtonit hapësirë të përqendrohej te Kina.

Ky pranim i pazakontë, që u raportua fillimisht nga South China Morning Post, u bë gjatë një takimi katërorësh mes Wangut dhe Kallasit në Bruksel.

Ata diskutuan për një sërë çështjesh, përfshirë subvencionet shtetërore për makinat elektrike, Tajvanin, situatën në Lindjen e Mesme dhe, natyrisht, luftën në Ukrainë.

Gjatë këtyre bisedimeve, Brukseli e akuzoi Kinën se mban anën e Moskës dhe theksoi se pushtimi i një shteti sovran, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Pekini thuhet se i kundërshtoi akuzat e BE-së se Rusia përdor produktet dhe komponentët kinezë në përpjekjet e saj luftarake.

Më pas, ai shprehu shqetësim edhe për dy gjëra: mundësinë që Perëndimi t’u vendosë sanksione institucioneve financiare kineze dhe fitoren e mundshme të Ukrainës në konflikt.

Shenjat e pakënaqësisë së Brukselit me Kinën, për shkak të luftës, janë duke u shtuar gjithnjë e më shumë.

Në maj, një raport i klasifikuar i BE-së nxori në pah se Kina, përfshirë edhe Hong Kongun, është përgjegjëse për rreth 80 për qind të shmangieve të sanksioneve kundër Rusisë.

Blloku 27-anëtarësh ka filluar, gjithashtu, t’i shënjestrojë kompanitë kineze për të cilat beson se janë përgjegjëse për “minimin e integritetit dhe sovranitetit territorial të Ukrainës”.

Në paketën më të fundit të sanksioneve, blloku synon t’ia ngrijë asetet dhe ndalojë vizat një biznesmeni kinez, i cili ka transferuar vazhdimisht mallra të prodhuara në BE drejt Rusisë, ndonëse ato ishin subjekt i kufizimeve të eksportit nga BE-ja.

Dy kompani kineze janë, po ashtu, në shënjestër për shitjen e automjeteve të përshtatshme për çdo terren (ATV), detektorëve infra të kuq dhe komponentëve të tjerë optikë forcave të armatosura ruse, me qëllim të përdorimit të tyre në Ukrainë

Një tjetër shqetësim në Bruksel shprehu edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili tha se Kina dhe Rusia paraqesin kërcënime në rritje për aleancën transatlantike.

Rutte u tha gazetarëve se beson se Rusia dhe Kina do t’i koordinojnë sulmet ndaj Tajvanit dhe Evropës, për ta mbajtur Perëndimin të zënë në shumë vende njëkohësisht.

“Xi Jinping, presidenti i Kinës, përpara se ta sulmojë Tajvanin, do të telefonojë në Moskë për t’i kërkuar [presidentit rus, Vladimir] Putin që të na mbajë të zënë në këtë pjesë të Evropës”, tha Rutte.

Kina dhe Rusia lidhën një të ashtuquajtur “partneritet strategjik pa kufij”, pak para se shteti rus të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Partneriteti nuk përfshin ndonjë aleancë ushtarake formale apo ndonjë angazhim specifik për mbrojtje të ndërsjellë, por përfshin bashkëpunim të gjerë ushtarak dhe harmonizim strategjik.

Megjithatë, publikisht, Pekini është distancuar nga veprimet e Rusisë.

Duke folur pas turneut evropian të Wangut, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze përsëriti se “qëndrimi i Kinës ndaj krizës në Ukrainë, është objektiv dhe i qëndrueshëm, që do të thotë: negociata, armëpushim dhe paqe. Një krizë e zgjatur e Ukrainës nuk u shërben interesave të dikujt”.

Por, analistët u përqendruan edhe në fjalë të tjera të thëna së voni nga zyrtarët e Pekinit.

Politologia ruse, Natalia Shevshkova, i tha kanalit Current Time të Radios Evropa e Lirë se komentet e Wangut, pas turneut të tij të fundit në Evropë, janë shenjë që Pekini “është bërë më guximtar” në retorikën e tij, deri në atë pikë sa “nuk është më diplomaci lindore, por sjellje e drejtpërdrejtë, thuajse e vrazhdë”.

“Kina e kupton se nëse Putinit i lejohet ta mbajë Krimenë dhe nëse Perëndimi është gati të negociojë duke i dhënë atij disa territore, atëherë edhe Kina do të ketë liri të veprojë sipas interesave të saj”, tha Shevshkova. REL