Kurti krah për krah me ambasadorin skandaloz, Martin Berishajn, në Srebrenicë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe sot në Srebrenicë në kujtim të viktimave të gjenocidit në Bosnje, në shoqërinë e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj—person i përfshirë në një skandal të madh financiar, nën hetime për keqpërdorime dhe shpëlarje parash. Fotot e këtij momenti janë publikuar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e…

Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe sot në Srebrenicë në kujtim të viktimave të gjenocidit në Bosnje, në shoqërinë e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj—person i përfshirë në një skandal të madh financiar, nën hetime për keqpërdorime dhe shpëlarje parash. Fotot e këtij momenti janë publikuar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Jashtme, Donika Gervalla, në rrjetet sociale.
Kjo tregon edhe njëherë afërsinë dhe përkrahjen që Kurti ka për Berishajn, edhe pse ai është i përfshirë në një nga skandalet më të mëdha financiare dhe energjetike, transmeton lajmi.net
Gjatë kësaj jave Prokuroria Speciale në Slloveni e përmbylli hetimin ndaj Berishajt dhe rasti tash do i dorëzohet shtetit të Serbisë, pasi Berisha është shtetas i Serbisë.
Prokuroria Speciale e Sllovenisë ka përmbyllur hetimet në lidhje me një prej skandaleve më të përfolura të viteve të fundit që përfshin emrin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dhe kompaninë energjetike “GEN-I Beograd”, degë e njërit prej konglomerateve më të mëdha energjetike në rajon. Hetimi kishte të bënte me transaksione të dyshimta financiare mes kompanisë së Berishajt, “MB Consulting”, dhe GEN-I Beograd gjatë kohës kur drejtori i përgjithshëm i grupit GEN-I ishte kryeministri aktual i Sllovenisë, Robert Golob.
Sipas raportimit të Radiotelevizionit të Sllovenisë (RTVS), Prokuroria sllovene ka përfunduar fazën paraprake të hetimeve dhe ka konstatuar dyshime të bazuara për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo besimit në veprimtari ekonomike. Megjithatë, për shkak të natyrës ndërkufitare të rastit, çështja nuk do të procedohet më tej në Slloveni.
Autoritetet sllovene kanë vendosur që rasti t’i dorëzohet prokurorisë përkatëse në Serbi. Kjo vendim është marrë duke u bazuar në faktin se i dyshuari kryesor është shtetas i Serbisë, veprimtaria e dyshuar penale ka ndodhur kryesisht në territorin e Serbisë dhe se të gjitha provat kyçe ndodhen po ashtu në Serbi.
Një tjetër faktor vendimtar ishte fakti se Serbia nuk ekstradon shtetasit e saj, duke e pamundësuar ndjekjen e çështjes nga organet sllovene të drejtësisë. Për këtë arsye, Prokuroria Speciale e Sllovenisë i ka transferuar rastin autoriteteve serbe me kërkesë për marrje në ndjekje penale.
Ky zhvillim i fundit e zhvendos përfundimisht trajtimin e rastit në juridiksionin e shtetit serb, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse autoritetet në Beograd do të marrin masa konkrete për të hetuar dhe ndjekur penalisht këtë aferë që ka përfshirë figura politike dhe diplomatike nga rajoni, përfshirë Martin Berishajn, i cili vazhdon të mbajë postin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci pavarësisht kritikave dhe akuzave për përfshirje në aktivitete të dyshimta financiare./lajmi.net/