Limaj thirrje partive politike: Të ulemi në tavolinë, të gjejmë kompromis dhe ta zbatojmë vullnetin e qytetarëve
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas dështimit të 45-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke paralajmëruar për pasojat e thella që po sjell ngërçi institucional në funksionimin e shtetit. Në një prononcim për media, Limaj ka shprehur shqetësimin se në Kosovë po krijohet një perceptim i rrezikshëm se ekzistenca…
Lajme
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas dështimit të 45-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke paralajmëruar për pasojat e thella që po sjell ngërçi institucional në funksionimin e shtetit.
Në një prononcim për media, Limaj ka shprehur shqetësimin se në Kosovë po krijohet një perceptim i rrezikshëm se ekzistenca e shtetit është e garantuar, pavarësisht papërgjegjësisë politike dhe institucionale, transmeton lajmi.net
“Edhe sot vazhdon e njëjta situatë. Kam përshtypjen se ky ngërç, duke e vënë shtetin në epiqendër, po tregon se shumë njerëz mendojnë që ekzistenca e shtetit është diçka e mirëqenë. Por nuk është ashtu. Shtetin duhet ta meritojmë dhe mirëmbajmë çdo ditë – nuk është diçka që ekziston vetvetiu, pa marrë parasysh se si sillemi,” theksoi Limaj.
Ai kujtoi se historia njeh shumë raste të shteteve që kanë humbur ekzistencën e tyre pikërisht për shkak të papërgjegjësisë së elitave dhe mungesës së vetëdijes qytetare.
“Bota ka njohur shumë shtete që nuk ekzistojnë më – edhe ata e kanë humbur shtetin sepse nuk e kanë merituar. Kam përshtypjen që papërgjegjësia po shkon në ato nivele ku shteti po shihet si diçka që, çfarëdo që të ndodhë, dikush tjetër do ta ruajë,” u shpreh ai.
Duke folur për sakrificat e së kaluarës, Limaj theksoi se tani është koha për të treguar përgjegjësi dhe pjekuri politike për ta mbrojtur atë që është fituar me mund dhe gjak.
“Sa sakrifica janë bërë për ta fituar lirinë, sa mund është bërë për ta fituar shtetin – e krejt çka na mbetet është ta meritojmë ekzistencën e tij,” tha ai.
Në fund, Limaj bëri thirrje për një konsensus të gjerë politik për të dalë nga kriza dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve:
“Apeli im për të gjitha forcat politike është i qartë: mirëmbajtja dhe forcimi i shtetit fillon me konsensusin për ta mbrojtur interesin shtetëror. Në emër të këtij konsensusi duhet të ulemi në tavolinë, të gjejmë kompromis dhe ta zbatojmë vullnetin e qytetarëve – t’ia ofrojmë Kosovës institucionet që i takojnë. Shpresoj që do të reflektojmë,” përfundoi ai.
Kujtojmë se për më shumë se tre muaj, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet, duke bllokuar krijimin e institucioneve dhe paralizuar funksionimin demokratik të shtetit./lajmi.net/