Bajrami kërkon hetim urgjent për abuzimet në sektorin e energjisë: Kur nuk punon KEK-u, përfiton NOA dhe EFT-ja e Vuk Hamoviçit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësime serioze për menaxhimin e sektorit të energjisë në vend, duke kërkuar nga Prokuroria Speciale të nisë hetime të menjëhershme ndaj të gjithë zinxhirit vendimmarrës. Në një reagim publik, Bajrami ka theksuar se sa herë që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk prodhon energji,…

Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësime serioze për menaxhimin e sektorit të energjisë në vend, duke kërkuar nga Prokuroria Speciale të nisë hetime të menjëhershme ndaj të gjithë zinxhirit vendimmarrës.
Në një reagim publik, Bajrami ka theksuar se sa herë që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk prodhon energji, përfitues janë kompanitë importuese si NOA dhe EFT, duke shkaktuar kosto të larta për qytetarët, transmeton lajmi.net
“Sa herë nuk punon KEK-u, punon NOA dhe EFT-ja e Vuk Hamoviçit. Prokuroria Speciale duhet të hetojë gjithë zinxhirin vendimmarrës: Ministrinë e Ekonomisë, ZRRE-në, KOSTT-in, KEK-un, KESCO-n, KEDS-in, NOA-n dhe të tjerët,” deklaroi ajo.
Bajrami ka denoncuar disa nga praktikat që, sipas saj, përbëjnë abuzim dhe mungesë të theksuar të transparencës:
-
KEDS dhe KESCO importojnë energji, ndërsa kostoja i faturohet qytetarëve.
-
Kompania NOA ka fituar një pozicion monopolistik në treg me mbi 160 milionë euro qarkullim vetëm në vitin 2024, duke bërë tregti në kundërshtim me rregullat e KOSTT-it.
-
KEK-u po përballet me menaxhim të dobët, me ndalesa të shpeshta të blloqeve prodhuese, që sjellin përfitime të mëdha për kompanitë importuese të energjisë.
-
Ministria e Ekonomisë, ZRRE dhe KOSTT, sipas saj, nuk kanë përmbushur përgjegjësitë e tyre ligjore.
Deputetja Bajrami ka publikuar edhe një përmbledhje të ndaljes së njësive prodhuese të KEK-ut gjatë gjithë vitit 2024, ku shihen frekuenca të larta të daljes nga funksioni të blloqeve A3, A4, A5, B1 dhe B2 – që, sipas saj, kanë detyruar Kosovën të importojë energji me çmime të larta.
“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Kërkojmë transparencë dhe drejtësi. Hetim të menjëhershëm për abuzimet në sektorin e energjisë!”, përfundoi ajo.
Postimi i plotë:




