Prokuroria për hetimin ndaj tenderëve për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër: Roli ynë është të veprojm kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar pas akuzave të ngritura nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e kanë akuzuar kryeprokurorin Blerim Isufaj se po tenton të ndalojë ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, përmes hetimeve që po ua bën për kontratat njëburimore për këtë projekt. PS-ja ka…

Lajme

10/07/2025 19:29

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar pas akuzave të ngritura nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e kanë akuzuar kryeprokurorin Blerim Isufaj se po tenton të ndalojë ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, përmes hetimeve që po ua bën për kontratat njëburimore për këtë projekt.

PS-ja ka sqaruar se nuk është organ vendimmarrës për projekte infrastrukturore dhe se roli i saj është të veprojë vetëm në bazë të ligjeve në fuqi në rastet kur dyshohet për keqpërdorim të fondeve publike, transmeton lajmi.net.

Në komunikatën e saj, Prokuroria Speciale bën të ditur se përmes pesë prokurorëve të angazhuar aktualisht janë duke u trajtuar rreth 2 mijë kontrata njëburimore dhe se në rastin konkret ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprimet hetimore, me qëllim të verifikimit të rregullsisë së procedurave për ndërtimin e urave.

Hetimi, siç theksohet, nuk ka të bëjë me kundërshtimin e projektit, por me sigurimin që procedurat ligjore janë respektuar dhe se resurset publike po administrohen në mënyrë të ligjshme.

Komunikata e plotë: 

Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se nuk e ka në kompentencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por theksojmë se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. PS-ja, nëpërmjet pesë prokurorëve të angazhuar, i ka aktualisht në trajtim afër 2 mijë kontrata një burimore.
Bazuar në këtë, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
Hetimi për kontratën për ndërtimin e urave në Mitrovicë, nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike./lajmi.net/