E konfirmon Oda e Mjekëve – Fillojnë hetimet ndaj mjekës në rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut
Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetime zyrtare ndaj mjekes së ekipës së Urgjencës së Komunës së Lipjanit, pas dyshimeve për mosdhënie të ndihmës së parë në rastin e Agon Zejnullahut, i cili humbi jetën ditë më parë në këtë komunë. Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka konfirmuar për lajmi.net se është…

Lajme
Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetime zyrtare ndaj mjekes së ekipës së Urgjencës së Komunës së Lipjanit, pas dyshimeve për mosdhënie të ndihmës së parë në rastin e Agon Zejnullahut, i cili humbi jetën ditë më parë në këtë komunë.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka konfirmuar për lajmi.net se është dhënë autorizimi për fillimin e hetimeve disiplinore në dy drejtime.
“Po, është dhënë autorizimi për fillimin e hetimeve dhe atë në dy pista: e para, deklarata e mjekes që konsiderohet në kundërshtim me etikën profesionale; dhe e dyta, mosdhënia e ndihmës së parë në vendin e ngjarjes,” tha Sejdiu.
Hetimet po zhvillohen në kuadër të mekanizmave të brendshëm të Odës së Mjekëve dhe kanë për qëllim vlerësimin e veprimeve të mjekes në përputhje me Kodin Etik dhe standardet profesionale të praktikës mjekësore.
Agon Zejnullahu, i riu nga Lipjani, besohet se ka humbur jetën gjatë momentit kur po arrestohej nga zyrtarët policorë. Në lidhje me këtë rast, janë arrestuar pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa sot, Gjykata Themelore ka caktuar masën e paraburgimit për të gjithë të dyshuarit: rreshterin Ibrahim Nela dhe zyrtarët policorë Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri./lajmi.net/