Netanyahu nominon presidentin Trump për Çmimin Nobel të Paqes

Kryeministri izraelit ka propozuar që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të marrë Çmimin Nobel për Paqen. Gjatë një takimi dypalësh në Shtëpinë e Bardhë ditën e hënë, Netanyahu i dorëzoi presidentit amerikan letrën që i kishte përcjellë Komitetit norvegjez të Nobelit, më 1 korrik. Letra përmend së pari kontributin e presidentit Trump për arritjen…

Bota

08/07/2025 10:10

Kryeministri izraelit ka propozuar që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të marrë Çmimin Nobel për Paqen.

Gjatë një takimi dypalësh në Shtëpinë e Bardhë ditën e hënë, Netanyahu i dorëzoi presidentit amerikan letrën që i kishte përcjellë Komitetit norvegjez të Nobelit, më 1 korrik.

Letra përmend së pari kontributin e presidentit Trump për arritjen e Marrëveshjeve të Abrahamit, që synojnë të normalizojnë marrëdhëniet arabo-izralite në Lindjen e Mesme, por edhe për mbështetjen që i dha gjatë konfliktit të fundit me Iranin.

“Këto marrëveshje revolucionare vendosën marrëdhëniet diplomatike formale midis Izraelit dhe disa shteteve arabe – përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Maroku. Këto lëvizje i dhanë një fytyrë të re Lindjes së Mesme dhe shënuan një avancë historike drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Vizioni i presidentit Trump dhe lidershipi i tij i guximshëm kanë promovuar diplomacinë inovative, që nuk përcaktohet nga konflikti dhe ekstremizmi, por nga bashkëpunimi, dialogu dhe prosperiteti i përbashkët. Pak liderë kanë arritur suksese kaq të prekshme drejt paqes në një kohë kaq të shkurtër. Në këto kohëra ndryshimesh të mëdha historike, nuk më vjen askush tjetër ndër mend që ta meritojë më shumë sesa Presidenti Trump, Çmimin Nobel për Paqen,” thuhet në letrën e firmosur nga kryeministri Netanyahu drejtuar anëtarëve të Komitetit Nobel.

Presidenti Trump e falënderoi aleatin e tij, duke thënë: “Nuk e dija këtë gjë. Ju falënderoj shumë. Dhe kur kjo gjë vjen nga ju, merr më shumë rëndësi. Bibi, është një nder i madh.“

Marrëveshjet e Abrahamit u arritën gjatë mandatit të parë të presidencës Trump dhe ndihmuan të shkrijnë marrëdhëniet e tendosura prej disa dekadash mes Izraelit dhe disa vendeve arabe.

Muajin e kaluar edhe Pakistani njoftoi se do të rekomandojë presidentit Trump për Nobelin e Paqes.

Netanyahu vizitoi Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar të ardhmen e raporteve me Iranin, por më kryesorja, armëpushimin me Hamasin në Gazë, ku lufta 21-mujore u ka kushtuar jetën gati 60 mijë palestinezëve.