Mbi 2 mijë e 500 raste të zjarreve nga janari, a ka Kosova kapacitet për shuarjen e tyre?
Temperaturat e larta në vend dhe thatësira, janë shkaktarët më të mëdhenj të zjarreve që po ndodhin kohëve të fundit, por duke mos përjashtuar edhe vet faktorin njeri që në mënyrë të qëllimshme ndez zjarre. Vetëm përgjatë periudhës janar-qershor, në vend kanë qenë mbi dy mijë e 500 raste të zjarreve. Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë…

Lajme
Temperaturat e larta në vend dhe thatësira, janë shkaktarët më të mëdhenj të zjarreve që po ndodhin kohëve të fundit, por duke mos përjashtuar edhe vet faktorin njeri që në mënyrë të qëllimshme ndez zjarre. Vetëm përgjatë periudhës janar-qershor, në vend kanë qenë mbi dy mijë e 500 raste të zjarreve.
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj tha se i kanë marrë të gjitha masat duke ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjithë territorin e Kosovës.
“Aktualisht jemi në kohën kur temperaturat janë të larta dhe janë kushte të cilat paraqesin rrezik për shkak të thatësirë për ndezje të lehtë të zjarreve, mirëpo ne si Agjenci e Menaxhimit Emergjent i kemi marrë të gjitha masat, e kemi ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjithë territorin duke përfshirë njësitet e zjarrfikësve dhe shpëtimit, qendrat operative 112. Jemi në koordinim edhe me institucione tjera dhe aktualisht gjendja është më e qetë krahasuar me javën e kaluar që ka pasur një numër te madh të zjarreve, mirëpo me sukses kemi arritur t’i shuajmë”, ka thënë Metaj.
Sipas tij Kosova ka kapacitete të mjaftueshme
“Kosova ka kapacitet të mjaftueshëm sepse janë njësitë profesionale të zjarrfikësve dhe me shoqata vullnetare nëse është e nevojshme. Mirëpo, si shtet kemi kapacitetet nëse ngritet nevoja për të kërkuar edhe angazhimin e njësive tjera qofshin ato të policisë apo ushtrisë, por edhe të emergjencave tjera në nivelin lokal apo qendror”, shtoi ai.
Tutje Metaj kërkoi nga qytetarët që të vetëdijësohen dhe të mos ndezin zjarre qofshin ato në hapësira rekreative.
“Ne i kemi mjetet, edhe pse një pjesë e tyre janë të vjetëruara, mirëpo gjendja aktuale është e mirë. Krahas kësaj duhet të ekzistoj një vetëdijësim qytetarë dhe shfrytëzoj rastin të bëj thirrje te qytetarët që të jenë të kujdesshëm, ta ruajnë vendin. Vlen të ceket vendimi i ministrit të Punëve të Brendshme, i cili ka marrur një vendim shumë të rëndësishëm që ndalon zjarrëvënien në të gjitha format, jo vetëm zjarrëvenien e qëllimshme, por ndalon edhe ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura qofshin ato rekreative, pikniqe ose edhe ndezjen e fishekzjarrëve.
Metaj, ka thënë se numri i zjarrëfikësve nuk është i vogël, mirëpo ka nevojë për staf shtesë.