​A po harrohet ideja për ndërtimin e stadiumit nacional?

Ndërtimi i një stadiumi nacional vazhdon të shihet si nevojë urgjente për t’i dhënë futbollit dhe sportit vendor kalimin në një nivel tjetër, por ideja për ndërtimin e tij kohëve të fundit është ‘harruar’. Edhe pse ndërtimi i tij është në mesin e zotimeve që Kosova i ka dhënë për organizimin e Lojërave Mesdhetare në…

Sport

06/07/2025 11:15

Ndërtimi i një stadiumi nacional vazhdon të shihet si nevojë urgjente për t’i dhënë futbollit dhe sportit vendor kalimin në një nivel tjetër, por ideja për ndërtimin e tij kohëve të fundit është ‘harruar’.

Edhe pse ndërtimi i tij është në mesin e zotimeve që Kosova i ka dhënë për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, ministri në detyrë i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, së fundmi ka deklaruar se viti 2030 nuk është afati final për ta ndërtuar stadiumin e ri.

“Ky është vetëm propozim për temë të diskutimit në Komitetin Organizativ…Unë po propozojë që të diskutohet a duhet patjetër të jetë ndërtimi i stadiumit nacional i ndërlidhur me nevojat e Lojërave Mesdhetare. Këto që po i bëjmë tani unë e di që janë të domosdoshme edhe për lojërat edhe për ne sepse na duhen për ta zhvilluar infrastrukturën, mund ta ia nisim, por nuk e kemi afatin e fundit deri në vitin 2030, vetëm të fokusohemi ta ndërtojmë mirë sepse ai do të jetë një gjigant që kërkon shumë financa, që kërkon gjetje të burimeve të financimit dhe kërkon planifikim të mirë”, theksoi Çeku.

Por, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se stadiumi nacional do të ishte imazh i fortë për Kosovës, duke shtuar se pret që ndërtimi i tij të nis së shpejti.

“Sa i përket stadiumeve është plotësisht obligim ose detyrë e shtetit. Një stadium nacional i duhet çdo shteti sepse është edhe imazh i shtetit. Në një ndeshje ndërkombëtare çfarë sheh më së shumti njeriu, sepse vijnë legjenda, vijnë persona të rëndësishëm në ndeshje të tilla, sikur në një finale të cilësdo ligë ose kupë evropiane. Faktikisht e sheh një aeroport të mirë, një hotel të mirë dhe një stadium të mirë, kaq mund të sheh për atë kohë dikush që vjen…Unë kam dëshirë që në kohën time të nis një stadium kombëtar”, theksoi Ademi.

Ndërsa, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, thekson se ndërtimi i stadiumit që do t’i kishte rreth 25 mijë ulëse nuk ka alternativë dhe as nuk duhet të vihet në diskutim.

“Atë stadium mund ta quajmë stadium të qytetit, stadium kombëtar mirë po duhet t’i ketë mbi 20 mijë ulëse, kështu që nuk ka diskutim për këtë punë sepse minimumi i minimumit është 25 deri në 30 mijë ulëse, kështu që këtu nuk ka dyshim, kjo është obliguese dhe besoj se duhet ta zgjidhim sa më shpejtë këtë problem sa më shpejtë që është e mundur. Të paktën të fillojmë sepse ditët po ofrohen, koha po shkon shumë shpejtë, ne si Komitet Olimpik normalisht që jemi shumë të shqetësuar sepse kemi dëshirë që të fillojmë sa më shpejtë dhe t’i bëjmë punët pa stres”, thotë Krasniqi.

E sipas trajneri të futbollit Ismet Munishi, stadiumi nuk do të ishte vetëm ‘impiant’ që do të ofronte komoditet për tifozët, por do të ishte edhe simbol i krenarisë kombëtare.

“Normalisht që kemi nevojë për stadium kombëtar, kemi shumë nevojë, ne po e shohim mbarë botën çfarë stadiume janë ndërtuar, ajo është jo vetëm impiant që i jep komoditet shikuesit tonë por njëherësh jep edhe një lloj krenarie nëse ndërtohet me motive kombëtare dhe nëse është i ndërtuar në mënyrë më të mirë të mundshme atëherë lirisht edhe mund të krenohemi. Mos ta harrojmë që shteti përfaqësohet në shumë mënyrë, në mënyrën sportive, kulturore, përfaqësohet edhe me një stadium shumë të mirë që ndoshta mund të flitej shumë për atë stadium’, theksoi Munishi.

Deri më tani, nuk është ndarë as edhe një cent nga buxheti e as lokacioni nuk është caktuar për ndërtimin e këtij stadiumi, derisa shteti ka ndarë 250 milionë euro si zotim për organizmin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030./kp