Zjarri përfshiu objektin, reagon kompania IPKO: Po bëhen vlerësime për ta ditur shkakun e zjarrit
Një zjarr përfshiu mbrëmë një objekt që gjendet në Zonën Industriale në mes Prishtinës dhe Fushë-Kosovës. Ky objekt raportohet se i takon kompanisë së njohur, IPKO. Nga kjo kompani janë deklaruar në lidhje me incidentin e zjarrit ku u tha se nga ky zjarr u dëmtuan depot e IPKO-s. Sipas IPKO-s, falë reagimit të shpejtë…

Lajme
Një zjarr përfshiu mbrëmë një objekt që gjendet në Zonën Industriale në mes Prishtinës dhe Fushë-Kosovës.
Ky objekt raportohet se i takon kompanisë së njohur, IPKO.
Nga kjo kompani janë deklaruar në lidhje me incidentin e zjarrit ku u tha se nga ky zjarr u dëmtuan depot e IPKO-s.
Sipas IPKO-s, falë reagimit të shpejtë të shërbimeve emergjente dhe ekipeve të brendshme, situate u vu nën kontroll dhe u përmbajt plotësisht.
“Aktualisht është duke u zhvilluar një vlerësim i brendshëm dhe po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet përkatëse për të përcaktuar shkakun e zjarrit”,u tha në reagim.
Gjithashtu IPKO ka siguruar klientët dhe partnerët se shërbimet dhe infrastruktura nuk janë prekur.
“Dëshirojmë t’i sigurojmë klientët, partnerët dhe opinionin publik se shërbimet dhe infrastruktura nuk janë prekur. Të gjitha operacionet e IPKO-së vazhdojnë normalisht pa asnjë ndërprerje. E vlerësojmë besimin dhe mirëkuptimin tuaj. IPKO mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, sigurisë dhe shërbimit të pandërprerë”.
Në lidhje me rastin mbrëmë u deklaruan edhe nga Policia e Kosovës.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit që po punojnë intensivisht për lokalizimin e zjarrit. Sipas informacioneve të para zyrtare, dëmet në objekt janë të konsiderueshme, por fatmirësisht, deri tani nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.”, tha fillimisht zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, ndërkaq, për të dalë në vendin e ngjarjes ka ftuar edhe zyrtarin për hetimin e shkaqeve të zjarrit Policia fton qytetarët e zonës të shmangin lëvizjet përreth zonës për sigurinë e tyre dhe për të mos penguar intervenimin e ekipeve emergjente.”, përfundoi ai./Lajmi.net/