Pas kërkesës e kritikave të Ramës, largohen të gjithë drejtorët e Bashkisë së Vlorës
Një ditë pas kërkesës dhe kritikave të kryeministrit Edi Rama, në bashkinë e Vlorës kanë dhënë dorëheqjet të gjithë drejtorët e këtij institucioni. Mësohet se procesi i dorëheqjeve ka nisur që dje, pas urdhrit të prerë të kryeministrit Edi Rama dhe vazhdon ende edhe sot. Kryeministri ishte paraditen e djeshme në Bashkinë e Vlorës, i…

Lajme
Një ditë pas kërkesës dhe kritikave të kryeministrit Edi Rama, në bashkinë e Vlorës kanë dhënë dorëheqjet të gjithë drejtorët e këtij institucioni.
Mësohet se procesi i dorëheqjeve ka nisur që dje, pas urdhrit të prerë të kryeministrit Edi Rama dhe vazhdon ende edhe sot.
Kryeministri ishte paraditen e djeshme në Bashkinë e Vlorës, i shoqëruar nga ministri për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura.
U mësua se Rama udhëroi dje kryebashkiakun Ermal Dredha që të kërkojë dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të tij. Një urdhër që është zbatuar pa mëdyshje, por që duket i pazakontë, për një kryeministër, pavarësisht se kryebashkiaku i përket partisë së tij.
Pakënaqësitë e Ramës ndaj situatës në Vlorë, u shfaqën dukshëm dhe dy javë më parë. Në festën e Partisë Socialiste, ra në sy një komunikim i tensionuar mes tij dhe Dredhës.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, e cila zgjati afro 90 minuta, morën pjesë dhe deputetët në largim dhe ata të zgjedhur më 11 maj.
Ndërkohë, Kryeministri ka ngritur dy grupe pune për të çuar përpara procesin e reformimit dhe analizës së thelluar në nivel vendor:
Grupi i parë, i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, do të ketë në fokus analizimin dhe vlerësimin e performancës së drejtuesve rajonalë. Sipas Ramës, çdo drejtues që nuk ka kryer detyrën ashtu siç duhet, duhet të japë dorëheqjen, ndërsa zëvendësuesit e tyre do të kalojnë në një periudhë prove tre-mujore për të vërtetuar aftësitë e tyre.
Grupi i dytë, ku bëjnë pjesë Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, do të analizojë emrat e mundshëm për drejtuesit e rinj të Bashkisë së Vlorës.
Kryeministri ka kërkuar që deri më 15 korrik të përfundojë analiza për të gjithë drejtuesit, si dhe të jenë gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë.
Mësohet se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në Bashkinë e Vlorës, shumë prej pjesëmarrësve kanë qenë të thirrur personalisht nga vetë Kryeministri. Të pranishëm kanë qenë edhe deputetët e Qarkut, ku dy prej tyre, Erjona Ismaili dhe Zamira Sinaj, kanë qenë mjaft kritikë ndaj punës së Bashkisë. Në sy të të gjithëve, ato janë ankuar për vonesat dhe zvarritjet që, sipas tyre, po bëhen në zgjidhjen e problematikave të qytetarëve.
Reformimi në administratën lokale të Vlorës pritet të sjellë një “pastërti” të thellë në radhët drejtuese, teksa Kryeministri ka paralajmëruar qartë se askush nuk do të mbajë postin nëse nuk e justifikon me punë konkrete.