Paralajmërim për mërgimtarët që udhëtojnë përmes Kroacisë këtë fundjavë, priten bllokime të mëdha trafiku

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë ka publikuar një njoftim me rëndësi të veçantë për të gjithë qytetarët, veçanërisht për mërgimtarët që planifikojnë të udhëtojnë përmes Kroacisë gjatë fundjavës. Sipas autoriteteve kroate, të shtunën më 5 korrik 2025, në kryeqytetin Zagreb do të mbahet një koncert gjigant në ajër të hapur, ku pritet pjesëmarrja…

Lajme

04/07/2025 08:33

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë ka publikuar një njoftim me rëndësi të veçantë për të gjithë qytetarët, veçanërisht për mërgimtarët që planifikojnë të udhëtojnë përmes Kroacisë gjatë fundjavës.

Sipas autoriteteve kroate, të shtunën më 5 korrik 2025, në kryeqytetin Zagreb do të mbahet një koncert gjigant në ajër të hapur, ku pritet pjesëmarrja e rreth 500 mijë vizitorëve. Ngjarja do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në qarkullimin rrugor, jo vetëm në vetë Zagrebin por edhe në autostradat kryesore që çojnë drejt tij.

Rrugët që pritet të jenë më të ngarkuara janë:

Autostradat A2, A3 dhe A4 që lidhin Zagrebin me drejtimet tjera;

Autostradat A1 dhe A6, nga jugu drejt kryeqytetit;

Rruga anësore e Zagrebit.

Autoritetet kroate paralajmërojnë se trafiku do të jetë shumë i ngarkuar nga data 4 deri më 6 korrik, sidomos gjatë natës nga e shtuna në të dielën.

Brenda qytetit, përveç trafikut të dendur të automjeteve dhe këmbësorëve, do të ketë edhe bllokime rrugësh për shkak të masave të përkohshme të rregullimit të trafikut.

“Duke pasur parasysh bllokimin e pritur në rrugët kryesore, ne këshillojmë të gjithë turistët që planifikojnë udhëtime rrugore përmes ose nëpër Zagreb – qoftë gjatë rrugës për në destinacionet turistike kroate ose duke u kthyer nga destinacionet kroate në vendet e tyre të origjinës – të planifikojnë udhëtimet e tyre një ose më shumë ditë para të shtunës, 5 korrik 2025. Ne gjithashtu rekomandojmë të qëndroni të informuar duke kontrolluar përditësimet e trafikut në anglisht në Programin e Dytë të Radios Kroate, nëpërmjet faqes së internetit HAK dhe aplikacionit Croatia Traffic Info”, thuhet në njoftim.

Të gjitha informacionet e përmendura, si dhe rrugët alternative të udhëtimit, mund të gjenden në faqet e internetit të Klubit Kroat të Automobilave (HAK)
https://www.hak.hr/vijest/2345/koncert-promet-zagreb-2025
(https://www.hak.hr/info/stanje-na-cestama?lang=en…)