Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Tajlandës, Phrommes Bhaholpolbhayuhasena

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri jorezident të Mbretërisë së Tajlandës në Republikën e Kosovës, z. Phrommes Bhaholpolbhayuhasena. Gjatë takimit, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit Bhaholpolbhayuhasena dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve. Ajo vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe…

Lajme

03/07/2025 19:36

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri jorezident të Mbretërisë së Tajlandës në Republikën e Kosovës, z. Phrommes Bhaholpolbhayuhasena.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit Bhaholpolbhayuhasena dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve. Ajo vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Tajlandës, duke e cilësuar atë si një raport të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta.

“Ambasadori Bhaholpolbhayuhasena shprehi gatishmërinë për të punuar drejt thellimit të bashkëpunimit midis dy shteteve, gjersa e uroi Presidenten Osmani për organizimin e sivjetëm të Forumit Ndërkombetar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku mori pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Tajlandës, Lalivan Karnchanachari”.

“Në takim, Presidentja rikujtoi vizitën e saj në Tajlandë në vitin 2022, në shënim të dhjetëvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, si një moment kyç në thellimin e partneritetit mes dy vendeve. Ajo nënvizoi se vendimi i Tajlandës për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së shkëmbimeve ekonomike e kulturore midis shteteve, bizneseve dhe popujve tanë. Në përmbyllje, Presidentja Osmani riafirmoi gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të avancuar më tej raportet dypalëshe me Mbretërinë e Tajlandës, në frymën e partneritetit dhe respektit të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e presidencës.