Deklarata e Kurtit për Thaçin e Veselin – Prokuroria Speciale e Hagës s’ka koment
Kreu i LVV-së dhe deputeti, Albin Kurti, i cili po vazhdon ta mbajë edhe postin e kryeministrit të marrë nga zgjedhjet e vitit 2021, pak orë pas takimit që kishte pasur të mërkurën me presidenten Vjosa Osmani, rreth gjetjes së rrugëdaljes për bllokadën disa mujore ku gjendet Kuvendi, ka vazhduar sulmet ndaj kundërshtarëve politikë. Në…

Lajme
Kreu i LVV-së dhe deputeti, Albin Kurti, i cili po vazhdon ta mbajë edhe postin e kryeministrit të marrë nga zgjedhjet e vitit 2021, pak orë pas takimit që kishte pasur të mërkurën me presidenten Vjosa Osmani, rreth gjetjes së rrugëdaljes për bllokadën disa mujore ku gjendet Kuvendi, ka vazhduar sulmet ndaj kundërshtarëve politikë.
Në këtë gjuhë elektorale pas zgjedhore, Kurti s’ka kursyer as dy ish-udhëheqësit e PDK-së të cilët gjenden tash e pesë vite në Hagë duke u përballur me akuzat e Prokurorisë Speciale të Hagës. Sipas Kurtit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, vazhdojnë të japin direktiva për zhvillimet politike në Kosovë përmes vizitave që zyrtarët e PDK-së zhvillojnë atje.
Lidhur me këto akuza të Kurtit për Partinë Demokratike të Kosovës kanë reaguar zyrtarë të shumtë të kësaj partie, përfshirë kryetarin Memli Krasniqi. Kanë reaguar edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët kanë dënuar një deklaratë të tillë.
“Ne, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, dënojmë me ashpërsi deklaratën e fundit të ish Kryeministrit Albin Kurti, i cili pretendon se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, po japin “instruksione politike nga burgu në Hagë”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Në lidhje me këtë deklaratë të Kurtit, gazeta express ka kërkuar një qëndrim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë lidhur me ketë pretendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, por zëdhënësi Christopher Bennett, ka thënë se s’kanë ndonjë gjë për të thënë.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar s’ka koment”, ka thënë Bennett.
Kreu i LVV-së, këto deklarime ndaj Thaçit dhe Veselit, i ka bërë mbrëmë në një intervistë për Tëvë1, duke folur për PDK-në. Sipas Kurtit, partia që drejton Memli Krasniqi, s’është reformuar dhe se ka katër apo pesë kryetarë. Sipas Kurtit, nga PDK vazhdojnë të konsultohen ende me liderët e tyre në Hagë rreth zhvillimeve politike në vend dhe marrin instruksione.
“PDK nuk është e reformuar. Në Partinë Demokratike të Kosovës ekzistojnë 4 ose 5 kryetarë. Po flasim për PDK-në, se u mora pak me LDK-në, tash po kaloj pak te PDK-ja, për qejfin e juve. Ta vazhdoj mendimin. Filli i mendimit kur pritet nuk është më njësoj. Pra, ku mbeta, PDK që i ka 4-5 kryetarë, s’e di a i ka 4 a 5, por jam i sigurtë që s’i ka 3, as 2, as 1. PDK, e di prej përvojes, nuk është parti është shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara. Aty nuk merresh vësh pse ke folë me një person, prandaj Enver Hoxhaj folë krejt diçka tjetër, çka tha Ramiz Lladrovci për Sami Lushtakun, prindin e një deputeti, pra a e kuptoni, edhe janë dy ish-kryetarët në Hagë, të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike”, ka deklaruar Kurti të mërkurën në Tëvë1.